Agim Sulaj
21 Nëntor 2022•Përditësim: 22 Nëntor 2022
Bisedimet e përbashkëta në Bruksel ndërmjet shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë përfunduar pa ndonjë marrëveshje për targat e automjeteve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Borrell pas bisedimeve tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave ilegale të automjeteve, që ende qarkullojnë në Kosovë. Ai tha se Kosova ka qenë ajo që nuk e ka pranuar propozimin e BE-së.
"Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi", tha Borrell.
Pavarësisht mungesës së një marrëveshjeje midis dy udhëheqësve shtetërorë, Borrel kërkoi nga pala kosovare që menjëherë ta pezullojë fazën, e cila planifikohet të hyjë në fuqi nga 22 nëntori, sipas të cilës çdo ngasës i automjetit me targa jo “RKS” do të dënohet me 150 euro, ndërsa Serbia "të pezullojë lëshimin e targave të reja, të tilla si KM, që në Kosovë konsiderohen të paligjshme”.
Me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të BE-së, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë sot u takuan për të diskutuar rreth targave të automjeteve në Kosovë, çështje kjo që ka rritur tensionet mes dy vendeve.
Presidenti Vuçiq, nga ana e tij, pas takimit trepalësh tha se nuk është arritur asnjë marrëveshje midis palëve “për arsye të paqarta”, edhe pse pala serbe, sipas tij, ka qenë konstruktive në këto bisedime.
"Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë tragjedi, por natyrisht nuk do të jetë një periudhë e lehtë", tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia "do t'i qëndrojë pranë popullit serb" në Kosovë.
Pas takimit, edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se ishte përgjegjësia e të dy liderëve të Ballkanit Perëndimor për de-përshkallëzim urgjent të situatës.
“Fatkeqësisht ata nuk ranë dakord për një zgjidhje sot”, shkroi Stano në rrjetet sociale.
Takimi trepalësh në Bruksel u mbajt me ftesë nga Borrell, një ditë para nisjes së zbatimit të fazës së dytë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht shqiptimit të gjobave prej 150 eurosh për ngasësit e automjeteve me targa ilegale që kryesisht qarkullojnë në komunat me shumicë serbe.
Serbët në këto komuna kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e qeverisë për targa.
Madje, zyrtarët serbë për shkak të këtij vendimi dhanë dorëheqje edhe nga institucionet kosovare që nga Qeveria, Kuvendi, katër komunat me shumicë serbe në veri, policia, gjyqësori, prokuroria e administrata.
Qeveria e Kosovës mori vendim që prej 1 nëntorit veturat me targa ilegale që ende qarkullojnë në territorin e Kosovës do të marrin fleta qortuese në kuadër të fazës së parë të vendimit. Në fazën e dytë, Qeveria parasheh që nga 22 nëntori, deri më 21 janar 2023 të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë më targa tjera përpos atyre “RKS”.