BALLKANI

Kosovë, Kurti bën thirrje për bashkëpunim me LDK-në në qeverinë e ardhshme

Para mijëra mbështetësve të tij të cilët ishin tubuar për të festuar në qendër të Prishtinës, Kurti tha se pas çlirimit në vitin 1999 dhe shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, viti 2019 është një entuziazëm i tretë dhe vale e re

Besar Ademi  | 07.10.2019 - Përdıtësım : 07.10.2019
Kosovë, Kurti bën thirrje për bashkëpunim me LDK-në në qeverinë e ardhshme Foto: Umeys Sulejman/AA

Prishtinë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili sipas rezultateve preliminare ka grumbulluar më shumë vota në zgjedhjet e sotme të parakohshme parlamentare në Kosovë, i bëri thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për bashkëpunim në formimin e qeverisë së ardhshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas rezultateve të deritanishme të Komisionit Qendror Zgjedhor (KSHZ) nga gjithsej 94,23 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 25,74 për qind apo 193.931 vota kundrejt Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila ka siguruar 25 për qind apo 188.364 vota. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e treta me 21,24 për qind apo 160.033 vota.

Para mijëra mbështetësve të tij të cilët ishin tubuar për të festuar në sheshin “Skenderbeu” në qendër të Prishtinës, Kurti tha se pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999 dhe shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, viti 2019 është një entuziazëm i tretë dhe valë e re, e cila sipas tij, do ta shpëtojë “shpirtin e Kosovës, do ta forcojë Republikën dhe do ta shtyjë vendin drejt zhvillimit, drejtësisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët".

“Në qeverisjen tonë nuk ka më hajna në qeveri, nuk ka më hajna në institucione, por me shtetin e së drejtës hajnat do të luftohen, hetohen, gjykohen dhe dënohen në shoqëri kudo që janë. Jeta e ndershme do të jetë e lehtë, ndërsa jeta e kriminelëve do të jetë e vështirë deri në humbje të lirisë. Ne kemi humbur shumë në këto 20 vite, shumë mundësi janë shpërdoruar, por tani erdhi dita për ju qytetarë të Kosovës, për ju popull i Kosovës pa dallim”, deklaroi Kurti.

Kurti theksoi se do të punojë ngushtë me faktorët ndërkombëtar, me ata të cilët, siç tha ai, e njohin pavarësinë e Kosovës dhe e kanë ndihmuar vendin në tejkalimin e sfidave. Ai theksoi se shteti i Kosovës ka nevojë për miq, përkrahje dhe ndihmë.

Kurti i bën thirrje LDK-së për bashkëpunim në qeverinë e ardhshme

Në këto zgjedhje, dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK, kryesojnë në listë me më shumë vota, pasuar nga partitë e deritanishme qeveritare, respektivisht PDK-ja e cila ishte pjesë e koalicionit PAN që formoi qeverinë e kaluar.

LDK në këto zgjedhje kishte emëruar kandidate për kryeministër Vjosa Osmanin, e cila në historinë e Kosovës është e vetmja kandidate grua për kryeministër. Kurti në sheshin “Skenderbeu” i bëri thirrje partisë së Osmanit për bashkëpunim në formimin e qeverisë së ardhshme.

Duke falënderuar kundërshtarët e tij në këto zgjedhje, Kurti veçoi kandidaten e LDK-së, Osmani, fushatën e të cilës e quajti inspiruese për gratë dhe vajzat e vendit.

“Ajo me fushatën e saj ka inspiruar shumë gra e vajza që të angazhohen për çështje publike, për politikën, ekonominë dhe shoqërinë. Unë dua me Vjosën të bashkëpunoj në të ardhmen”, u shpreh Kurti.

Kujtojmë se në zgjedhjet e sotme në vend, jehona e daljes në votim ishte 44,18 për qind apo 812.049 votues nga gjithsej 1.937.868 të regjistruar shfrytëzuan të drejtën e votës. Këto janë zgjedhjet e katërta të parakohshme parlamentare, nga gjithsej shtatë të mbajtura në vend, të cilat u shpallën pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj si arsye e ftesës ndaj tij nga Gjykata Speciale në Hagë.

Kush është Albin Kurti?

Albin Kurti ka lindur më 25 mars të vitit 1975 në kryeqytetin Prishtinë ku dhe ka kryer arsimin fillor dhe të mesëm. Më 23 prill të vitit 2003 ai diplomoi në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Telekomunikacionit në Universitetin e Prishtinës. 

Kurti njihet si veprimtar aktiv politik që nga para luftës, kur edhe ishte pjesëmarrës në protesta të shumta studentore, në veçanti në protestën historike studentore të 1 tetorit të vitit 1997 ku ishte udhëheqës i protestës.

Me fillimin e luftës në Kosovë, në gusht të vitit 1998, Kurti filloi punën në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Demaçi, ku shërbeu si sekretar i zyrës.

Në vitin 2004, Kurti themeloi Lëvizjen Vetëvendosje ku edhe pse për një kohë hoqi dorë nga drejtimi i saj, aktualisht e drejton ende këtë parti. Kjo parti ngritjen dhe jehonën më të madhe e pati me një shtresë të të rinjve kosovarë që revoltën e tyre ndaj pushtetit e shprehnin me protesta në rrugë.

Kurti ka qenë kandidati për deputet më i votuar në zgjedhjet e vitit 2017. Ai është i martuar me Rita K. Augestad-Knudsen, shtetase e Norvegjisë, me të cilën ka edhe një vajzë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.