Saimir Alija
29 Nëntor 2017•Përditësim: 29 Nëntor 2017
TIRANË (AA) - Me pjesëmarrjen e dhjetëra fermerëve nga Shqipëria dhe rajoni është hapur në Tiranë panairi "Shqipëria punon tokën-Konsumo shqip”, ku për dy ditë me radhë do të ekspozojnë produktet e tyre bujqësore dhe blegtorale, raporton Anadolu Agency (AA).
Stendat e panairit me prodhimet vendase të fermerëve shqiptarë janë vendosur në Sheshin “Nënë Tereza” dhe përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa pjesë e tij janë edhe fermerë nga Maqedonia dhe Kosova.
Në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili theksoi se Qeveria e Shqipërisë do të japë një mbështetje të veçantë në buxhetin e ardhshëm për të gjithë fermerët e rinj.
“Fermerë të rinj, janë njerëz që nuk kanë lindur domosdoshmërisht në fshat, por kanë shkuar në fshat dhe kanë ndërtuar aty themelet e ëndrrës së tyre për tu bërë të pasur me tokën, duke e punuar tokën, duke kultivuar produktet dhe duke investuar idetë e tyre në bujqësi e blegtori. Janë shembuj që ne do të bëjmë çmos për t'i promovuar dhe për t'i shtuar në vijim, sepse ato kanë forcën të tregojnë se nuk ka asnjë gjë që e ndalon një ëndërr ”, u shpreh kryeministri Rama.
Panairi organizohet me iniciativën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, ku marrin pjesë 31 bashki të Shqipërisë dhe dhjetëra fermerë dhe sipërmarrës nga i gjithë vendi, të cilët do të prezantojnë më 29 dhe 30 nëntor prodhimet vendase bujqësore dhe blegtorale.
Gjithashtu një vend të veçantë kanë edhe punimet artizanale të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, por edhe bimët medicinale.
Në panair do të jenë dhjetëra ekspozues në disa kategori kryesore: të rinjtë sipërmarrës në bujqësi, agroindustri, agroturizëm, fruta-perime, blegtori, produkte shtëpie tradicionale, etj. Në panair do të ofrohet edhe informacion për skemat mbështetëse dhe të gjithë instrumentet e financimit për fermerët dhe asistencë në hartimin e planeve të biznesit.