Fatjon Cuka
23 maj 2017•Përditësim: 23 maj 2017
TIRANË (AA) - Konferenca ndërkombëtare me temë “Qasjet e reja hetimore ndaj organizatave kriminale që përdorin internetin”, ka mbledhur në Tiranë drejtuesit e prokurorive të përgjithshme të rajonit e më gjerë, ku në fokus të saj është bashkëpunimin rajonal i prokurorive, raporton Anadolu Agency (AA).
Në hapjes të konferencës dyditore mbajti një fjalë përshëndetëse prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, Adriatik Llalla, i cili theksoi se homologët e tij të rajonit, por edhe ata evropianë janë treguar sipas tij çdo herë rigoroz në bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për të luftuar së bashku krimin e organizuar dhe terrorizmin.
“Konferenca e Tiranës do të përqendrohet në forcimin e mekanizmave hetimorë për organizatat dhe grupet kriminale që përdorin internetin për veprimtarinë e tyre kriminale. Teknologjia ka përmirësuar jetën dhe shërbimin për qytetarët. Por nga ana tjetër, në duart e grupeve kriminale, ajo është shndërruar në një mjet efikas për t’iu shmangur agjencive të zbatimit të ligjit. Për këtë arsye, strukturat hetimore janë të detyruara që të realizojnë bashkëpunim shumë të ngushtë dhe shkëmbim të dhënash në kohë reale për të pasur rezultate pozitive”, theksoi Llalla.
Ai ka shtuar se autoritetet shqiptare tashmë kanë hartuar një strategji kombëtare kundër trafikut të narkotikëve dhe zbatimi i saj, kërkon, sipas tij, domosdoshmërisht edhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Në konferencën ndërkombëtare dyditore, organizuar për herë të parë nga Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë, krahas homologëve të tjerë ndërkombëtarë, janë të pranishëm edhe Mehmet Akarca, prokurori i Përgjithshëm i Turqisë, përfaqësues të Prokurorisë së Kosovës, Prokurorisë së Përgjithshme të Maqedonisë, etj. Kryeprokurori i Turqisë do të referojë nesër gjatë punimeve të konferencës.