Adel Ömeragiç,Lejla Bıogradlıja
06 Qershor 2017•Përditësim: 07 Qershor 2017
PODGORICË (AA) - Është zhvilluar sot inaugurimi i dy sallave të operacioneve në Klinikën Okulistike në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, rikonstruktur me ndihmën e Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Koordinim, TIKA, raporton Anadolu Agency (AA).
TIKA ka kontribuar si nga ana e rikonstruksionit të sallave ashtu edhe me pajisjet e tyre. Në ceremoninë e inaugurimit merrnin pjesë zëvendëskryetari i TIKA-s, Prof. Dr. Birol Çetin, ambasadori i Turqisë në Podgoricë, Serhat Galip dhe drejtoresha e Klinikës, Zorica Kovaceviç.
Në një fjalim të mbajtur në këtë ceremoni, Çetin tha se edhe ai vetë, gjatë periudhës 2012-2013, ka qenë koordinator i TIKA-s në Podgoricë. Ai ka vënë në dukje se TIKA gjatë 10 viteve të fundit në këtë vend, ka realizuar më shumë se 85 projekte në fushën e shëndetësisë.
Duke theksuar se Turqia do të dërgojë dhe specialistë të Okulistikës në Malin e Zi, Çetin ka thënë se në rast nevoje ata do të asistojnë më ndihma të reja në këtë drejtim.
Ndërsa ambasadori i Turqisë në Podgoricë, Galip, në fjalën e tij tha se TIKA ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për Malin e Zi, në shumë fusha, duke përfshirë këtu dhe shëndetësinë. Në saje të ndihmës së këtij institucioni ka thënë ai, tashmë vendi ka dy salla moderne operacioni.
Nga ana tjetër drejtoresha e Klinikës Okulistike, Kovaçeviç, duke thënë se TIKA ka realizuar projekte të rëndësishme, ka theksuar: "Edhe më parë na ndihmuan për urgjencën. Në saje të këtij kontributi me dy sallat e operacioneve, do të punojmë për kryerjen e ndërhyrjeve me dy turne".