BALLKANI

TIKA dhe Komuna e Prishtinës rinovojnë shkollën "Elena Gjika"

Ky është investimi i dytë i TIKA-s në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Elena Gjika” në Prishtinë

Sibel Vezaj  | 26.09.2018 - Përdıtësım : 27.09.2018
TIKA dhe Komuna e Prishtinës rinovojnë shkollën "Elena Gjika" ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

PRISHTINË (AA)- Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, sot u inaugurua projekti “Rinovimi dhe Pajisja me Inventar e Shkollës Elena Gjika”, realizuar nga Kryesia e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në bashkëfinancim me Komunën e Prishtinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Inaugurimi i projektit u realizua me pjesëmarrjen e Ambasadores së Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, koordinatorit të TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran, drejtorit të Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj, drejtorit të shkollës, Fisnik Thaçi e stafit dhe nxënësve.

Ambasadorja Kılıç në fjalën e saj gjatë aktivitetit u shpreh se ky nuk është projekti i parë i realizuar në këtë shkollë. 

“Kësaj here me të vërtetë është një projekt gjithëpërfshirës, është një projekt shumë i madh të cilin e realizuam së bashku me komunën (e Prishtinës) në gjithë shkollën, përfshirë 18 klasa, 3 klasa parashkollore, 1 bibliotekë e korridoret. Shpresojmë se ky projekt në radhë të parë përmirëson kushtet arsimore të fëmijëve të kësaj shkolle, të të rinjve në Kosovë, të cilët të gjithë janë fëmijët tanë dhe të gjithë janë lulet e ardhmërisë sonë. Ata janë gjenerata të cilët do të krijojnë të ardhmen e shtetit mik dhe vëlla të Kosovës, si dhe të njerëzimit”, theksoi ajo.

Duke u shprehur se TIKA jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë botën po realizon projekte që bëjnë të ndihen krenarë, Kılıç tha se projektet primare për të janë ato në fushat e arsimit dhe të shëndetësisë. Ajo shtoi se është tejet e lumtur që TIKA ka realizuar projekte të shumta në këto dy fusha në Kosovë.

Kurse kryetari i Komunës së Prishtinës, Ahmeti, rikujtoi se kjo nuk është hera e parë që bëhet një përurim së bashku me TIKA-n, duke shtuar se as arsimi nuk është fusha e vetme, meqë sipas tij TIKA ka bashkëpunuar me këtë komunë në parkun e qytetit, në çerdhe, restaurimin e xhamive, hamamit, si dhe në qendrën e parë për Autizëm dhe Sindromën Down në Republikën e Kosovës, e cila pritet të hapet vitin e ardhshëm. 

“Para disa viteve TIKA i ka rinovuar disa klasa në këtë shkollë dhe tani kanë shprehur dëshirën që jo vetëm për komunitetin turk, por ne jemi këtu për të ndihmuar edhe komunitetin shqiptar edhe gjithë qytetarët e kryeqytetit tonë. Dhe kjo është shenjë e miqësisë që kemi ndërtuar me shtetin turk jo vetëm si shtet i Kosovës por edhe si komunë e Prishtinës. Unë deri më tani s’kam marrë asnjëherë përgjigje negative prej TIKA-s sa herë që kam kërkuar ndihmë”, tha ai.

Ahmeti tha se koordinatori i TIKA-s, Ceran, edhe vetë në ditët e fundit i ka pastruar klasat për fillimin sa më të shpejtë të mësimit.

Kurse drejtori i shkollës, Fisnik Thaçi, falënderoi TIKA-n për investimet e saj në Kosovë, duke shtuar se tanimë shkolla e tyre ka kushte shumë kualitative. Me këtë rast pjesëmarrësit vizituan klasat dhe pjesët e rinovuara të shkollës.

Kujtojmë se rinovimi në këtë shkollë kishte filluar në muajin korrik. Ky është investimi i dytë i TIKA-s në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Elena Gjika” në Prishtinë, e cila është një prej shkollave më të vjetra në komunë, ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe në atë turke. Në vitin 2016 TIKA kishte rinovuar edhe 10 klasa dhe bibliotekën e kësaj shkolle.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.