Sibel Vezaj
17 Mars 2017•Përditësim: 18 Mars 2017
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot vizitoi Kampusin e Universitetit të Biznesit dhe të Teknologjisë (UBT) në qytetin e Lipjanit, i cili ndodhet në qendër të Kosovës, ku mbajti një ligjëratë për profesorët dhe studentët e këtij universiteti lidhur zhvillimet aktuale në Republikën e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të tij presidenti Thaçi vuri theksin në çështjen e transformimit të FSK-së nga misioni civil në atë ushtarak. Ai tha se 110 deputetë të Kuvendit të Kosovës janë deklaruar se do të mbështesin plotësisht themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Duke theksuar se këtë transformim po e mbështesin të gjitha komunitetet tjera jo serbe, Thaçi tha se Lista Serbe nuk po guxon ta votojë këtë ndryshim për shkak të Beogradit. Ai po ashtu ritheksoi se ky proces do të jetë i koordinuar plotësisht me faktorin ndërkombëtar.
“Ky proces është i pandalshëm, do të përmbyllet me sukses. Ka filluar dhe përmbyllja do jetë e suksesshme, e përbashkët me bashkësinë ndërkombëtare, asnjë faktor ndërkombëtar nuk është kundër themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Vetëm ti shikojmë procedurat, ditën dhe datën”, tha Thaçi.
Duke theksuar rolin dhe rëndësinë e ushtrisë për një vend, Thaçi tha se “Ne nuk mund të anëtarësohemi as në NATO e as në një mekanizëm tjetër, as të fillojmë procesin e partneritetit për paqe, pa e themeluar ushtrinë”.
Ai po ashtu theksoi qëndrimin e qartë të BE-së se pa kalimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, nuk ka liberalizim të vizave dhe ftoi deputetët për ta votuar këtë marrëveshje.
Ndërkaq, duke vlerësuar vizitën e fundit të presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani në Luginën e Preshevës, Thaçi se ai nuk mund të shkojë aty për shkak se nuk e lejon Serbia.
Ai po ashtu njoftoi se procesi për reformat zgjedhore është në fazën finale në zyrën e tij dhe se javën e ardhshme do t’i dorëzohet Kuvendit të Republikës së Kosovës.