Sibel Vezaj
01 Janar 2017•Përditësim: 01 Janar 2017
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka ngushëlluar homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan, për sulmin e mbrëmshëm terrorist në Stamboll, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Presidenca bëhet e ditur se përmes një telegram ngushëllimi drejtuar presidentit turk Erdoğan, presidenti Thaçi ka thënë se ky sulm terrorist ka goditur gjithë qytetarët e botës së lirë dhe populli i Kosovës solidarizohet me dhimbjen e familjeve të viktimave dhe me popullin turk.
“Akti terrorist në Stamboll është edhe një motiv më shumë në vendosmërinë tonë për ta luftuar pa kompromis këtë kërcënim për të gjithë ne. Sulmi mizor në natën e ndërrimit të motmoteve në Stamboll është sulm kundër tërë botës. Ky sulm terrorist ka goditur gjithë qytetarët e botës së lirë. Terroristët nuk duan as paqe, as rend, as qetësi, por duan ta shkatërrojnë botën tonë, jetët tona dhe mënyrën tonë të të jetuarit. Populli i Kosovës solidarizohet me dhimbjen e familjeve të viktimave dhe me gjithë qytetarët e vendit tuaj”, shkruan në telegramin e presidentit Thaçi drejtuar presidentit Erdoğan.
Sulmin e kanë dënuar nëpërmjet rrjeteve sociale të tyre edhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yağcılar, si dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
“Fuqimisht dënoj sulmin terrorist në Ortaköy. Mallkoj terrorin. Ky sulm i pabesë është kundër njerëzimit, Turqisë dhe njerëzve të pafajshëm”, ka shkruar ministri Yağcılar.
“Fuqishëm e dënojmë sulmin në Stamboll. Ngushëllimet e thella për popullin dhe qeverinë turke”, ka shkruar ministri Hoxhaj.