Saimir Alija
18 Dhjetor 2017•Përditësim: 19 Dhjetor 2017
TIRANË (AA) - Opozita parlamentare e Shqipërisë, e kryesuar nga Partia Demokratike (PD) ka mbajtur sot një protestë përpara Kuvendit të Shqipërisë kundër zgjedhjes së prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm, ndërsa në protestë ka patur përplasje mes protestuesve dhe policisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Rama reagon për tensionet në Kuvend dhe protestën e opozitës
Mes tensioneve në seancën e sotme parlamentare, Arta Marku është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, në postin e kryeprokurores së përkohshme. Marku ka marrë 69 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim, nga 140 deputetë gjithsej që ka Kuvendi, ndërsa edhe është betuar para deputeteve.

Gjatë seancës janë hedhur tymuese në sallën e seancave plenare nga deputetët e opozitës. Protestës jashtë selisë së Kuvendit i janë bashkuar edhe partitë e tjera opozitare, të cilat kanë kundërshtuar procedurën për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, ndërsa në protestë ka pasur tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Protestuesit kanë tentuar të depërtojnë kordonin e policisë.
Mbështetësit e opozitës gjatë protestës kanë qëlluar me gurë si dhe kanë hedhur tymuese në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa nga protestuesit dhe forcat e policisë ka patur disa të lënduar.
Ndërkohë gjatë protestës ka mbajtur një fjalim kryetari i opozitës dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, i cili theksoi se “Jashtë parlamentit dhe brenda në Parlament është ajo që ndodh në çdo vend evropian kur shkelet kushtetuta".
Në protestë kanë mbajtur fjalime deputetë të partive opozitare, si të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilët i kanë kërkuar maxhorancës të tërhiqet nga vendimi për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm, pasi sipas tyre është në shkelje të Kushtetutës.
Pas zgjedhjes së kryeprokurores protesta është mbyllur, ndërsa policia kishte marrë masa të larta sigurie për të garantuar rendin dhe sigurinë për mbarëvajtjen e protestës së opozitës, ku ishin të vendosura forca të shumta policore jashtë selisë së Kuvendit të Shqipërisë.
Kujtojmë se kryeprokurorja e përkohshme e Shqipërisë, Arta Marku, do të ushtrojë detyrën deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Çështja e zgjedhjes së kryeprokurorit, që do të zëvendësojë kryeprokurorin Adriatik Llalla, mandati i të cilit përfundoi në fillim të dhjetorit shkaktoi debate në javën e fundit mes opozitës dhe maxhorancës. Opozita kërkonte që Llalla të vazhdonte detyrën e tij dhe të mos zgjidhej një kryeprokuror i përkohshëm.