Admir Fazlagikj
17 Dhjetor 2017•Përditësim: 18 Dhjetor 2017
SHKUP (АА) - Me moton "Ndal dhunës ndaj punëtorëve seksualë" sot në Shkup në prani të rreth qindra pjesëmarrësve u mbajt Marshi i çadrave të kuqe me rastin e 17 dhjetorit - Ditës ndërkombëtare kundër dhunës ndaj punëtorëve seksualë, raporton Anadolu Agency (AA).
Marshi është organizuar nga iniciativa qytetare për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve seksualë "Star-star" prej ku porositën se me marshin e sotëm punëtoret seksuale e ngrenë zërin kundër dhunës ndaj tyre.
Më tej theksuan se më shumë se një dekadë luftojnë për të drejtat e tyre.
Sipas organizatorëve numri të cilin e potencojnë mediat se në Maqedoni ka prej 3.000 deri në 4.000 punëtorë seksualë nuk është real, por, siç thonë, shifra është shumë më e madhe.
Punëtoret seksuale me çadra të kuqe dhe me maska në sy, mes tjerash porositën që të ndalojë dhuna ndaj tyre ndërsa kërkuan që institucionet dhe policia t'i mbrojnë.
Gjithashtu, apeluan që të ndërpriten paragjykimet ndaj tyre.
Kujtojmë se kjo është hera e dhjetë që në Shkup mbahet marshi i çadrave të kuqe, me të cilin punëtorët seksualë kërkojnë të drejtat e tyre.