Sibel Vezaj
15 Dhjetor 2016•Përditësim: 16 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA) - Ministrja për Dialog e Kosovës Edita Tahiri, sot, pas publikimit të vendimit të ITU-së për ndarjen e kodit telefonik 383 për shtetin e Kosovës, mbajti një konferencë për medie. Gjatë fjalimit të saj, ministra Tahiri uroi të gjithë qytetarët për marrjen e kodit dhe falënderoi institicionet e shtetit për këtë arrritje madhore për shtetin dhe sektorin e telekomunikacionit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ajo falënderoi edhe BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e këtij procesi. Tahiri theksoi se marrja e kodit telefonik ka rëndësi të madhe, ku shprehu se efektet e tij janë shtetërore, të sovranitetit shtetëror, efekte ekonomike dhe efekte të sigurisë.
“Kodi telefonik forcon subjektivitetin kombëtar të shtetit të Kosovës, me kodin telefonik Kosova e fitoi identitetin shtetëror në fushën e telekomit. Kosova fitoi njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së saj në fushën e telekomit. Efektet ekonomike janë të mëdha, janë millionëshe sepse nuk do të ketë më shpenzime financiare siç kemi pasur deri tani duke paguar kodet e shteteve të huaja”, tha Tahiri.
Ajo theksoi se kodi telefonik është rezultat i marrëveshjes së Brukselit dhe bëri të ditur se Kosova është pronare dhe administron vetë me kodin telefonik. Duke vënë në dukje se tani do të shuhen të gjitha kodet ekzistuese, 381, 377 dhe 386, Tahiri tha se qytetarët e Kosovës më në fund do të identifikohen me kodin e shtetit të vet, në gjithë botën.
“Shuhen operatorët e telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë që kanë vepruar që nga përfundimi i luftës. Thirrjet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas do të jenë thirrje ndërkombëtare. Vendoset kufiri frekuencor në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, hapet mundësia e realizimit të planit shtetëror për dixhitalizim dhe vendi ynë përfshihet në trendet globale të dixhitalizimit”, tha së fundi Tahiri.
Kurse Kreshnik Gashi, koordinatori profesional në delegacionin e Republikës së Kosovës në Bruksel dhe kryeshef ekzekutiv në Bordin e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), tha se Kosova tani ka hyrë në një epokë të re, me të cilin kod Kosova do të njihet në gjithë botën.
Gashi thekson se me Kodin telefonik Kosova fiton identitetin e vet shtetëror në fushën e telekomunikimeve, duke theksuar rëndësinë e veçantë për thirrjet hyrëse dhe dalëse, ku do të eliminohen edhe të gjitha vështirësitë në menaxhimin e trafikut në hyrje dhe dalje. Ai vuri në dukje se Kosova do të ketë qasje direkt në rrjetin global, dhe shtoi se do të ketë rritje të aktrativitetit për investime në sektorin e telekomit
“Efektet ekonomike do të jenë millionëshe, sigurisht që deri më tani janë shpenzuar rreth 200 milionë euro si pasojë e mungesës së kodit, nga të gjithë operatorët e telefonisë në Kosovë, para të cilat po të investoheshin në fushën e telekomunikimeve në Kosovë do të ndikonin në rritje të mëtutjeshme të shërbimeve dhe në zvogëlim të çmimeve”, tha Gashi.
Duke folur për afatet kohore për implementimin e kodit shtetëror 383, Gashi bëri të ditur se sipas marrëveshjes së Brukselit, strategjia e migrimit për telefoninë mobile dhe fikse do të përgatitet brenda një afati prej 3 muajsh nga Arkep, por ai premtoi se nuk do të pritet për 3 muaj, ku maksimumi për këtë punë do të zgjasë 1 muaj. Ai shtoi se afatet për kalim në kodin në një tjetër, ITU ka paraparëqë të jetë për 24 muaj.
Ndërkaq, në konferencë Tahiri nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve rreth ardhjes së ashtuquajturit, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç në pjesën veriore të Mitrovicës, për të marrë pjesë në përurimin e pikave të karburanteve, të një kompanie nga Serbia.
Kurse sot edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka uruar alokimin e kodit telefonik ndërkombëtar, duke theksuar se përfitimet ekonomike e Republikës së Kosovës do të jenë milionëshe.
“Sot, Republikës së Kosovës i është alokuar kodi telefonik ndërkombëtar +383. Kosova ka shënuar një arritje të madhe duke bërë një hap të rëndësishëm në kompletimin e elementeve të shtetësisë. Ndarja e kodit telefonik ndërkombëtar e forcon sovranitetin dhe subjektivitetin e shtetit. Përfitimet ekonomike të Republikës së Kosovës do të jenë milionëshe", ka shkruar Mustafa.