Dzihat Aliju
15 Dhjetor 2016•Përditësim: 16 Dhjetor 2016
SHKUP (AA) - Historiani i njohur turk prof. dr. Ilber Ortayli, mbajti një konferencë në Universitetin "Shën Kirili dhe Metodi" në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).
Konferenca e organizuar në kuadër të jubielut 70 vjeçar të Institutit të Historisë pranë Fakultetit të Filozofisë, me temën "Historia e Maqedonisë në arkivat Osmane", zgjoi interesin e madh të studentëve.
Prof. dr. Ortayli shprehu kënaqësinë nga ajo që librat e tij janë përkthyer në maqedonisht. Ai tha se në vitet kur ka qenë student shpesh e ka vizituar ish-Jugosllavinë dhe Maqedoninë, dhe se mentaliteti i Maqedonisë është shumë i afërt me atë të Turqisë.
Sipas tij, në periudhat e para pjesa më e rëndësishme e Osmanëve kanë qenë trojet, siç thotë ai, të Rumelisë. "Në atë periudhë Maqedonia, Bullgaria dhe një pjesë e Greqisë kanë qenë nën udhëheqjen e Osmanëve, të cilët i kanë ruajtur emrat me karakter sllav dhe se nuk i kanë ndryshuar ato", thotë Ortayli.
Në lidhje me konferencën, Ortayli në deklaratën për gazetarin e AA-së, shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë konferencë të organizuar nga Universiteti "Shën Kiril dhe Metodi".
Ai potencoi se katër libra të tij janë përkthyer në maqedonisht dhe se kanë bërë prezantimin e tyre.
"Ndiej kënaqësi që gjendem në këtë vend me të cilin kam afërsi. Sot organizuam një konferencë në lidhje me historinë e Maqedonisë dhe historiografinë e Turqisë. Biseduam në lidhje me arkivat tona", tha ai.
Pas konferencës Ortayli nënshkroi për studentët librat e tij të përkthyera në maqedonisht.