Husameddin Gina
28 Nëntor 2018•Përditësim: 28 Nëntor 2018
SHKUP (АА) – Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE sonte mbajti një marsh protestues para Qeverisë së Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski para qeverisë paralajmëroi protesta çdo të mërkure në vendin e njëjtë dhe porositi se ata nuk do të ndalen derisa kryeministri Zoran Zaev nuk largohet.
Me thirrjet "dorëheqje", "Maqedoni" dhe brohoritjet VMRO-DPMNE u mbajt marsh protestues i partisë opozitare maqedonase.
Marshin e udhëhoqi lideri opozitar Mickoski, i cili filloi para selisë së partisë dhe përfundoi para Qeverisë së Maqedonisë. Në adresimin para të pranishmëve dhe simpatizantëve të VMRO-DPMNE-së, Mickoski tha se rruga që të hiqet Zaev nga pushteti nuk do të jetë e lehtë dhe e thjeshtë.
"Do të vijnë zgjedhjet, ja zgjedhjet presidenciale po vijnë, ejani këtu që fuqimisht të fitojë kandidati ynë. Ejani këtu që VMRO-DPMNE dhe Koalicioni për 'Maqedoni më të mirë' të fitojë. Ky është hapi i parë që ta çlirojmë atdheun nga kthetrat dhe prangat. Prej këtu duhet të fillojë fitorja jonë", tha Mickoski.
Ai në protestë dërgoi një mesazh deri tek të gjithë ata që nuk janë të pranishëm në protestë ndërsa e mbështesin partinë, nga të gjitha bashkësitë etnike dhe përkatësite fetare që t'u bashkohen protestave që do të mbahen në të gjitha qytetet e vendit gjatë fundjavave dhe çdo të mërkurë para ndërtesës së Qeverisë në Shkup.
Mickoski në fjalimin e tij theksoi se "beteja për ta përmbysur Zoran Zaevin nga pushteti nuk do të zgjasë një ditë apo dy, por do të jetë më e gjatë".
Ai premtoi se në fund me siguri VMRO-DPMNE-ja do të fitojë.