Vesna Besiç
02 Prill 2017•Përditësim: 02 Prill 2017
BEOGRAD (AA) – Në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm, janë hapur vendvotimet në Serbi në të cilat qytetarët do të votojnë për të zgjedhur presidentin e ri të shtetit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në garën për president të Serbisë janë 11 kandidatë. Në zgjedhjet e sivjetme për kreun e shtetit, qytetarët e Serbisë do të votojnë në 396 qendra të votimit, ndërsa të drejtë vote kanë 6.724.949 qytetarë.
Të drejtë vote për presidencialet në Serbi ka edhe diaspora e cila do të votojë në gjithsej 53 vendvotime në 32 shtete të botës, ndërkohë numri i atyre më të drejtë vote është 11.590.
OSBE organizon procesin e votimit në Kosovë
Në mjediset ku jetojnë serbët në Kosovë, sot në ora 07:00 të mëngjesit janë hapur vendvotimet në të cilat votohet për presidentin e Serbisë.
Janë hapur katër qendra, me 16 degë, për mbledhjen e votave. Votimi vazhdon i qetë, ndërsa mbledhjen e votave e zbaton Misioni i OSBE-së në Kosovë. Në Kosovë deri në orën 10:00 kanë votuar 5.23 për qind ose 5.444 persona, prej rreth 106.000 votuesve me të drejtë vote, konfirmoi për AA zëdhënësi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Senad Shaboviç.
Ai tha se vendimi për atë nëse numërimi i votave do të bëhet në Kosovë apo në Rashjë dhe Vranjë do të merret deri në orën 19:00 në pajtim me faktorët e sigurisë dhe faktorët tjerë relevantë.
Vendvotimet do të jenë të hapura deri në orën 20:00. Siç është bërë e ditur më herët nga Misioni i OSBE-së në Kosovë ky agngazhim bazohet në modelet e operacioneve të mëparshme, të zbatuara në vitet 2012, 2014 dhe 2016.
OSBE-ja pranoi kërkesën nga Beogradi dhe aprovimin nga Qeveria e Kosovës për zbatimin e këtij operacioni. OSBE-ja do të jetë kujdestar i këtij procesi në Kosovë, duke përfshirë ruajtjen e materialit të ndjeshëm dhe integritetin e procesit.
Edhe në seksionin konsullor të Ambasadës së Serbisë në Shkup, Maqedoni, sot në mëngjes në orën 07:00 është hapur vendvotimi ku qytetarët zgjedhin presidentin e ri.
Lilana Tanasijeviaq, konsulle në ambasadën e Serbisë në Shkup dhe kryetare e këshillit zgjedhor në një prononcim për AA tha se vendvotimi në seksionin konsullor të ambasadës është hapur me kohë.
“Këtu janë paraqitur 141 votues për votim në ambasadën në Shkup dhe tashmë votuesit e parë kanë votuar. Vendvotimi është i hapur deri në orën 20:00”, deklaroi Tanasijeviq.
Zgjedhjet për presidentin e Republikës së Serbisë mbahen çdo pesë vjet, për aq sa, sipas Kushtetutës së Republikës së Serbisë zgjat mandati i presidentit.
Vuçiç pas votimit: Do të pranoj çdo vullnet të popullit në Serbi
Përveç zgjedhjeve të rregullta, Kushtetuta parasheh edhe mundësinë për zgjedhje të jashtëzakonshme presidenciale, të cilat mund të mbahen nëse presidenti nuk është në gjendje të kryej detyrën, ose kur mandati i tij përfundon para skadimit të afatit kur ai është zgjedhur.
Procesi zgjedhor do të vëzhgohet nga një total prej 1.955 vëzhgues vendas nga katër OJQ, si dhe nga 126 vëzhgues të huaj nga 25 organizata, komisione zgjedhore dhe ambasada.