Furkan Naci Top
07 Shtator 2017•Përditësim: 07 Shtator 2017
ATHINË (AA) - Numri i refugjatëve të cilët pas një udhëtimi të rrezikshëm mbi Detin Egje kalojnë në ishujt e Greqisë, në muajin gusht arriti në nivelin më të lartë që nga muaji mars i vitit 2016, kur u nënshkrua marrëveshje mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE) për refugjatët, shkruan Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të përpiluara nga gazetari i AA-së nga të dhënat e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), në muajin gusht në ishujt e Greqisë në Egje kanë kaluar 3.695 refugjatë.
Kështu që muaji gusht u bë muaji më me intensitet në kalimin e refugjatëve në ishujt grekë, që nga marrëveshja mes Turqisë dhe BE-së e cila filloi të zbatohet në mars 2016.
Numri i refugjatë të cilët kanë kaluar në ishujt e Greqisë në muajin gusht u rrit për 64 për qind në krahasim me muajin korrik kur kishin kaluar 2.249 refugjatë.
Intensiteti në kalimin e refugjatëve vazhdoi edhe në ditët e para të shtatorit. Brenda 5 ditëve në ishujt e Greqisë kaluan 890 refugjatë.
Vazhdon pritja në ishull
Edhe pse pas marrëveshjes, kalimi i refugjatëve në Greqi kishte shënuar zbritje prej 97 për qind, gjendja e refugjatëve të cilët mbetën në ishuj dhe kërkojnë azil, vë në vështirësi qeverinë greke dhe autoritetet lokale.
Numri i refugjatëve të cilët mbahen në kampet tek ishujt Lesbos, Chios, Samos, Kos dhe Leros është afro 14 mijë.
Ndërkohë refugjatët të cilët reagojnë për zgjatjen e procedurave të azilkërkimit dhe pamjaftueshmërinë e kushteve të jetesës nëpër kampe, shpesh herë organizojnë protesta.
Sipas të dhënave që nga marrëveshja për refugjatët, në ishujt e Greqisë kalojnë mesatarisht 2000 refugjatë në bazë mujore.