Fatjon Cuka
21 Shkurt 2019•Përditësim: 22 Shkurt 2019
TIRANË (AA) - Partitë opozitare të Shqipërisë kanë mbajtur sot një protestë antiqeveritare në Tiranë, ku mbështetësit e opozitës ishin edhe nga qytete të tjera të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta para selisë së sallës së seancave të Kuvendit të Shqipërisë që zgjati disa orë është organizuar nga Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), sipas tyre, për të kërkuar "përmirësimin e kushteve ekonomike të qytetarëve, respektimin e të drejtave të qytetarëve, garantimin e proceseve zgjedhore të lira dhe krijimin e një qeverie tranzitore".
Kryetari i opozitës dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, gjatë fjalës në protestë tha se "Shqiptarët e bashkuar kanë nisur rrugëtimin e shpresës".
"Ne kërkojmë për vendin tonë, për Shqipërinë tonë atë që na takon. Do të qëndroj në krahun tuaj në këtë betejë sepse unë besoj tek demokracia evropiane, besoj tek demokracia amerikane, besoj tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe shteti i së drejtës që mbron qytetarët njësoj para ligjit dhe tek ndarja dhe balancimi i pushteteve. Unë e di që njësoj si unë besojnë të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Ne nuk jemi popull i dhunës, ne jemi popull i lirisë, ne jemi e ardhmja evropiane e vendit. Këtu jemi bashkuar me njerëzit e lirë të këtij vendi", tha Basha.
Gjatë protestës ku kanë marrë pjesë mijëra persona nuk janë shënuar incidente, përveç hedhjes së tymuesve, ndërsa fjalime kanë mbajtur edhe përfaqësues të tjerë të partive opozitare.
Protestuesit në mbyllje të protestës kanë shoqëruar drejtuesit e partive opozitare drejt selisë së Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", të cilët kanë dorëzuar deklaratat për dorëheqje nga mandatet parlamentare.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë, për mbarëvajtjen e protestës dhe shmangien e incidenteve angazhoi qindra forca policore pranë selisë së Kuvendit të Shqipërisë, por edhe për të mbrojtur institucionet e tjera, ndërsa u bëri apel organizatorëve të protestës që të distancohen nga dhuna.
Partitë opozitare, PD dhe LSI vendosën djegien e mandateve parlamentare dhe insistojnë në krijimin e një qeverie tranzitore.
Pas vendimit të opozitës për protestën dhe zyrtarizmit të nismës për djegien e mandateve, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, vendosi anulimin e seancës së sotme parlamentare.
Kujtojmë se më 16 shkurt në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë, opozita mbajti një protestë e cila u përfshi nga tensionet dhe përplasjet, pasi protestuesit dëmtuan me sende të ndryshme selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë.