Figen Shaban
29 Shtator 2017•Përditësim: 29 Shtator 2017
PRISHTINË (AA) - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, është takuar sot në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pacolli me këtë rast i ka thënë numrit një të diplomacisë së BE-së, Mogherini, se “liberalizimi i vizave është hapi vendimtar, që duhet kryer tani sepse ndikon fuqishëm në perspektivën e të rinjve kosovarë, që janë të edukuar mirë, me mendje të hapur dhe për një Kosovë me frymë të re evropiane”.
Në një njoftim nga MPJ e Republikës së Kosovës thuhet se gjatë takimit me Pacollin përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Sigurin, Mogherini, ka ndarë të njëjtin vlerësim për rininë dhe shoqërinë kosovare, duke theksuar se “Viti i dytë i mandatit të këtij Komisioni do të jetë vendimtar për integrimin europian të rajonit, të Kosovës dhe pse jo për çështjen e liberalizimit të vizave në veçanti”.
Në vazhdim të takimit është diskutuar edhe për fazën e re të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.
Në lidhje me këtë cështje zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Pacolli, ka rikonfirmuar përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për dialog, duke e konsideruar se është shumë e rëndësishme që të ketë një afatizim kohor, përderisa Mogherini ka kërkuar zotim nga pala kosovare për implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
“Perspektiva e përgjithshme evropiane e vendit tonë dhe vendeve të rajonit; përmbushja e reformave të brendshme të vendeve që synojnë anëtarësimin; fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal si ai i Procesit të Berlinit kanë qenë tema të tjera të zhvilluara në kuadër të këtij takimi”, thuhet në njoftim.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së përmes një kumtese theksoi se "Kosova me qeverinë e re, është e vendosur për të ecur përpara në përmbushjen e dy kushteve të mbetura për liberalizimin e vizave, posaçërisht ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe mbështetja me të dhënat për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit".
Mogherini gjithashtu riafirmoi angazhimin e saj të fuqishëm për perspektivën e BE-së për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, kështu që deri në fund të mandatit të saj, ajo premtoi se "përparimi i arritur do të jetë i pakthyeshëm për të gjashtë partnerët".
Vizita e Pacollit në Bruksel është e para që kur ai mori detyrën e tij zyrtare. Gjatë qëndrimit në Bruksel ai ka takuar edhe përfaqësuesit e tjerë të Lartë të BE-së nga Parlamenti Evropian, Komisioni si dhe ishte pritur në selinë qëndrore të NATO-s nga zëvendës-sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller.