Admir Fazlagikj
24 prill 2017•Përditësim: 25 prill 2017
SHKUP (AA) - Sot në Shkup “TEATROSK”, produksioni i teatrit rrugor i cili merret me promovime rrugore dhe ngjarje me karakter të ngjashëm, informoi se fundjavën e ardhshme, më 28 dhe 29 prill në Shkup do të mbahet “Urban Fest”, festival ndërkombëtar i statujave të gjalla dhe arteve të tjera rrugore, raporton Anadolu Agency (AA).
Vojo Cvetanovski nga “TETROSK” bëri të ditur se në këtë festival të ftuar do të jenë interpretues me famë botërore nga fusha e statujave të gjalla dhe artistë të grafikave 3D.
"Do të marrin pjesë disa performues që do të interpretojnë më 28 dhe 29 prill në Shkup. Vijnë nga Gjermania, Portugalia, Holanda, Bosnjë e Hercegovina, Serbia, artistë të grafikave 3D dhe të statujave të gjalla. Do të ketë 12 akte në tre sheshe të qytetit, përfshirë edhe muzikë", tha Cvetanovski.
Një nga organizatorët e festvalit "Urban Fest", Nora Shakiri, tha se "TEATROSK", grupi që organizon ngjarjen, është aktive shumë vite në të gjithë Ballkanin dhe Evropën dhe tani punën e tyre do ta interpretojnë edhe në Shkup.
"Duam botën dhe Evropën t'i afrojmë në Maqedoni dhe Shkup. Presim të ketë shumë njerëz, do të jetë suprizë për të gjithë", u shpreh Shakiri, duke prezantuar festivalin.
Festivali "Urban Fest" financiarisht është i mbështetur nga Komuna Qendër e Shkupit. Kryetar i kësaj komune, Andrej Zhernovski, theksoi se bëhet fjalë për një ngjarje serioze në të cilën Shkupi do të ketë mundësi të shohë artistë me famë botërore.
"Kur ne shkojmë në metropole botërore dhe evropiane shohim statuja të gjalla, por ato nuk i ka Shkupi. Për këtë arsye, ne duhet të jemi pjesë e asaj skene rrugore. Kjo duhet të jetë një fillim", u shpreh Zhernovski.
Ndryshe, paratë që do t'i mblidhen nga qytetarët e Shkupit, artistët kanë vendosur që t'i japin donacion për qëllime humanitare, përkatësisht për personat e prekur nga kanceri i stomakut.