Figen Shaban
24 prill 2017•Përditësim: 25 prill 2017
PRISHTINË (AA) - Nën organizimin e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës filloi “Java e Imunizimit” në Kosovë, gjatë së cilës do të përkrahen aktivitete për të ngritur vetëdijen e politikbërësve, vendim-marrësve, profesionistëve shëndetësorë, prindërve, familjeve për rëndësinë e vaksinimit dhe avokim për vaksinim të gjithë fëmijëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Shëndëtësisë të Kosovës, Imet Rrahmani në fjalimin e tij tha se imunizimi është një nga aktivitetet që zvogëlon vdekshmërinë dhe sëmundshmërinë nga sëmundjet që mund të parandalohen me vaksina.
Rrahmani duke theksuar se Kosova është një nga vendet e cila ka shkallë të lartë të imunizimit të fëmijëve tha se MSH me ndihmën e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) dhe të partnerëve ndërkombëtarë si UNICEF-i dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), këtë vit por edhe në të ardhmen do të ketë prioritet zhvillimin e programit të vaksinimit.
“Ne po punojmë që edhe grupet e cenuara sidomos të komuniteteve rom, egjiptas dhe ashkali që t'i kyçim më tepër në programin e imunizimit dhe fëmijët e tyre të vaksinuar të arrijnë përqindjen e fëmijëve të komunitetit shumicë”, tha Rrahmani.
Zëvendës Shefi i Zyrës së UNICEF-i në Kosovë, James Mugaju gjatë fjalimit të tij tha se “Java e imunizimit” është një mundësi e mirë për të theksuar rëndësinë e vaksinimit dhe mbrojtjes së fëmijëve por po ashtu edhe për të bërë thirrje për veprim që përmes programit të vaksinimit të arrihet qëllimi që të vaksinohen të gjithë fëmijët.
Ai theksoi se UNICEF-i është duke punuar së bashku me MSH dhe IKSHP që përmes zbatimit të planit shumëvjeçar për programin e imunizimit, të mënjanohen vështirësitë të cilat u pamundësojnë fëmijëve të vaksinohen dhe për të lehtësuar procesin e blerjes së vaksinave kualitative me çmime më të ulëta.
“Sipas të dhënave në Kosovë 79 për qind të fëmijëve të moshës 24 deri në 35 muajsh janë të vaksinuar plotësisht, ndërsa vetëm 1 në 3 fëmijë të kësaj grupmoshe janë të vaksinuar nga komunitetet rom, egjiptas apo ashkali”, tha Mugaju.
Ndërsa, drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani tha se “Java e Imunizimit” në Kosovë këtë vit ka filluar me moton “Parandalo, mbrojë dhe imunizo” e cila ka për qëllim ngritjen e vetëdijësimit të politikbërësve, profesionistëve shëndetësorë, prindërve dhe kujdestarëve për rëndësinë e vaksinimit të fëmijëve.
Sipas tij, IKSHP ka dëshmuar profesionalizëm të lartë në implementimin e politikave në parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe në mbrojtjen e popullsisë së Kosovës duke shtuar se në Kosovë nuk mund të shohim fëmijë në karrocë shkaku i virusit të egër të paralizës së fëmijëve falë mbrojtjes së tyre me vaksina.
“Falë vaksinimit Kosova sot nuk ka paralizë të fëmijëve, difteri, tetanoz të posalindurve dhe ka përqafuar programin e eliminimit të fruthit të kontrollit të rubellës kongjinitale. Situata epidemologjike në vend dhe rajon ka diktuar që kalendari i vaksinimit të kompletohet me futjen e vaksinave të reja”, tha Ramadani.
Ndryshe, imunizimi është një nga intervenimet më efektive të shëndetit publik që zvogëlon vdekshmërinë dhe sëmundshmërinë dhe ka potencial për të reduktuar vdekshmërinë e fëmijëve dhe mbron jetëra të shumta për çdo vit.