Zülfiya Yakup
26 Korrik 2018•Përditësim: 27 Korrik 2018
PRISHTINË (AA) - Pas marrjes së lajmit për vdekjen e Adem Demaçit, luftëtarit për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, pjesëtarët e parlamentit të vendit ndërprenë seancën plenare në të cilën u diskutua dialogu me Serbinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Haradinaj: Kontributi i Adem Demaçit do të jetë frymëzim për gjeneratat e reja
Lajmi i vdekjes së Adem Demashit, i njohur si Mandela shqiptar për shkak të kalimit 28 vite në burg për aktivitetet e tij politike në ish-Jugosllavi, u njoftua nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti, me ç'rast kuvendi mbajti një minutë heshtje dhe ndërpreu seancën.
Adem Demaçi, 82 vjeç, është tërhequr nga publiku viteve të fundit për shkak të përkeqësimit të shëndetit.
Presidenti Thaçi shpall tri ditë zie për vdekjen e Adem Demaçit
Në nderim të figurës së veprimtarit të shquar, Adem Demaçi, i cili sot ka ndërruar jetë, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur tri ditë zie në vend, përkatësisht ditën e premte, të shtunë dhe të diel.
Gjatë këtyre ditëve të zisë, flamuri shtetëror i Kosovës do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore brenda dhe jashtë vendit.
Presidenti Thaçi e ka marrë këtë vendim duke u mbështetur në Ligjin për presidentin e Republikës së Kosovës, Ligjin për protokollin e shtetit të Republikës së Kosovës dhe në Ligjin për përdorimin e simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës.
Adem Demaçi do të varroset me nderimet më të larta shtetërore.