Malik Hasa
22 maj 2017•Përditësim: 23 maj 2017
TIRANË (AA) - Kuvendi i Shqipërisë në një seancë të jashtëzakonshme ka miratuar sot ndryshimet në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, duke votuar zëvendëskryeministren dhe 6 ministra teknikë, propozuar nga opozita, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas marrëveshjes së arritur mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe liderit të opozitës, Lulzim Basha, janë votuar si teknikë nga deputetët e maxhorancës dhe opozitës, Ledina Mandija në postin e zv.kryeministres, Dritan Demiraj, ministër i Brendshëm, Mirela Karabina, ministre e Arsimit, Arben Beqiri, ministër i Shëndetësisë, Xhulieta Kërtusha është emëruar në postin e ministres së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministre e Financave, Helga Vukaj dhe në krye të ministrisë së Drejtësisë, Gazment Bardhi.
Pas betimit në Presidencën e Shqipërisë, ministrat e rinj do të marrin zyrtarisht detyrën.
Kujtojmë se Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, pas marrëveshjes Rama-Basha të arritur më 18 maj për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje, dekretoi 25 qershorin si datën e re për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në vend.
Opozita filloi një protestë në çadrën vendosur para selisë së Këshillit të Ministrave në Tiranë, më 18 shkurt të këtij viti, duke kërkuar qeveri teknike për organizimin e zgjedhjeve parlamentare, ndërsa me arritjen e marrëveshjes protesta është ndërprerë.