Bekim Laci
11 Nëntor 2015•Përditësim: 12 Nëntor 2015
SHKUP (AA) - Parlamenti i Republikës së Maqedonisë në seancën e sotme me 101 vota pro, dhe pa asnjë votë kundër apo të përmbajtur, zgjodhi Oliver Spasovskin për ministër të ri të Punëve të Brendshme, ndërsa bashkëpartiaken e tij Frosina Tashevska- Remenski për ministre të Punës dhe Politikës Sociale si pjesë e pakos e cila del nga marrëveshja politike, raporton Anadolu Agency (AA).
Parlamenti në kuadër të seancës së sotme zgjodhi edhe Marta Arsovska - Tomovska për ministre të Shoqërisë Informatike dhe Administratë, pasi ish ministri Ivo Ivanovski dha dorëheqje për arsye personale.
Në seancën e sotme, shtëpia ligjvënëse zgjodhi edhe zëvendësministrat si pjesë e marrëveshjes politike.
Kire Naumov u zgjodh për Zëvendësministër të Financave, Lupço Nikollovski në resorin e Bujqësisë dhe Aleksandar Kiracoski zv/ministër i Shoqërisë Informatike.
Në arsyetimin e tij për nevojën e propozimeve të reja në kabinetin qeveritar, kryeministri Gruevski tha se pret nga zyrtarët e rinj të punojnë në përputhje të marrëveshjes politike të qershorit dhe korrikut.
“Pres që ministrat e rinj dhe zëvendësministrat të përqendrohen në procesin zgjedhor në përputhje të marrëveshjes politike të qershorit dhe korrikut dhe të mos i ndalin projektet e qeverisë”, tha Gruevski.
Paraprakisht, Kuvendi konstatoi dorëheqjet e ministrave të Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov dhe të Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov, ministrit pa dikaster Visar Fida dhe zëvendësministres të Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Marta Arsovska – Tomovska.
Ndërsa menjëherë pasi morën besimin e Parlamentit, ministrat e rinj dhanë betimin solemn, me çka edhe zyrtarisht marrin detyrat e reja.
Përndryshe, javën e kaluar në takimin e liderëve të katër partive më të mëdha politike në Maqedoni, u arrit marrëveshje për respektimin e obligimeve dhe afateve që dalin nga marrëveshja politike e cila parasheh mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 24 prill 2016.