Furkan Naci Top
14 Qershor 2017•Përditësim: 15 Qershor 2017
ATHINË (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Kotzias, tha se në rast të zgjidhjes së problemeve mes dy vendeve do të mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, raporton Anadolu Agency (AA).
Kotzias foli në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov, pas takimit kokë më kokë të realizuar në Athinë.
Ministri grek duke shprehur se ndjejnë kënaqësi nga arritja e stabilitetit në vend pas krizës së qeverisë, theksoi se do të merren të gjitha hapat për zhvillimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.
Kotzias, më tej duke qëndruar në rëndësinë e masave për rritje të besimit, theksoi se krahas naftësjellësit mes dy vendeve, mund të ndërtohet edhe gazsjellësi.
Ministri grek më tej duke theksuar se në mënyrë të prerë mbështesin integritetin territorial dhe sovranitetin e Maqedonisë, tha se, “E dijmë që shteti fqinjë dëshiron të anëtarësohet në unionet rajonale. Jemi të hapur të ofrojmë mbështetjen tonë në këtë çështje në rast se zgjidhet çështja e emrit”.
Kotzias ndër të tjerat tha se duhet të punojnë në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje në çështjen e emrit e cila do të jetë në dobi të të dy vendeve.
Ai në pyetjen në lidhje me atë se Greqia në vitin 2008 ka bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO tha se, “Greqia dëshiron që të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në strukturat euroatlantike. Duhet të gjejmë një mënyrë për kompromis”.
Dimitrov: Kërkojmë mbështetje nga Greqia në aspiratat tona euro-atlantike
Ndërkohë Dimitrov, duke tërhequr vëmendjen se duan që t’i lënë pas vitet e vështira, theksoi se duan të rigjallërojnë integrimin me BE-në, NATO-n dhe shtetet fqinje.

Ai më tej duke treguar se ka një rrugë të vështirë para tyre për tejkalimin e problemeve me Greqinë, tha se “Kemi shumë punë për të bërë. Kërkojmë mbështetje nga qeveria greke që të na inkurajojnë në rrugën që duam të ecim”.
Dimitrov tha se mbledhja e sotme ndodh për herë të parë. “Nuk mund të vallëzoni pas takimit të parë. Duhet të takohemi më shumë", u shpreh Dimitrov.
Greqia me një marrëveshje në vitin 1995 ishte zotuar që nuk do të bllokojë anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO, e cila në vitin 1992 kishte pranuar që me emrin "Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë" të hyjë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Maqedonia e akuzon Greqinë me shkelje të kësaj marrëveshjeje.