Nazmi Abduramani
25 Gusht 2016•Përditësim: 25 Gusht 2016
SHKUP (АА) – Shefi i diplomacisë së Greqisë Nikos Kotzias gjatë vizitë së tij të sotme në Shkup ka realizuar takime me kryeministrin Emil Dimitriev si dhe me presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov, raporton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë bëhet e ditur se nga ana e kryeministrit Dimitriev është theksuar nevoja e gjetjes së sferave të cilat do të kontribuojnë në afrimin mes dy shteteve dhe vendosjen e bashkëpunimeve bilaterale.
Kryeministri Dimitiev theksoi se Republika e Maqedonisë angazhohet për ndërtimin e klimës dhe miqësisë pozitive dhe gatishmërisë që të bisedohet për tejkalimin e dallimeve të hapura.
“Nevojitet qasje objektive dhe vullnet i sinqertë për arritjen e zgjidhjeve si dhe arsyeshmëri që të tejkalohen dallimet të cilat tani janë shumë të mëdha”, theksoi kryeministri Dimitiriev, duke shtuar se zbatimi i masave paraqet shembull të mirë për atë se ekziston nevojë për afrimin mes dy shteteve dhe se është e mundur vendosja e relacioneve të mira.
Më pas theksoi se në këtë moment janë të mirëseardhura të gjitha hapat të cilat do të thonë sinjale dhe momente pozitive të përforcimit të mirëbesimit në këtë proces, veçmas në drejtim të realizimit të interesave strategjike për anëtarësim të shtetit në BE dhe NATO, ku pengesë është pikërisht kontesti bilateral për emrin, thuhet në njoftim.
Kryeministri Dimitriev theksoi se të dyja shteteve u nevojiten hapa të cilat nënkuptojnë zgjidhje për ardhmërinë, në vend të zgjidhjes për të kaluarën.
Nga ana tjetër ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Kozias, u prit edhe nga presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
Nga kabineti i presidentit Ivanov njoftojnë se në takim janë shkëmbyer mendime për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë.
Më tej thuhet se presidenti Ivanov ka përshëndetur rëndësinë e vizitës së sotme të ministrit Kotzias në Maqedoni, si vazhdimësi e dialogut në nivelin ministror nga viti i kaluar në Shkup dhe Athinë, dhe në këtë kontekst, përsëriti interesin e Republikës së Maqedonisë për mbajtjen e dialogut politik mes dy vendeve në nivelin e lartë.
“Periudhën e fundit kisha mundësinë disa herë të bisedoj me kryeministrin Alexis Cipras për çështje dhe sfida me rëndësi të jashtëzakonshme për të dyja vendet. Pres që kjo dinamikë pozitive e kontakteve dhe komunikimit në të gjitha nivelet të vazhdojë dhe të thellohet gjatë periudhës së ardhshme, si në aspketin bilateral, ashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal”, theksoi presidenti Ivanov, duke theksuar interesin e shkëmbimit të vizitave në nivelin presidencial në të ardhmen e afërt.
Presidenti Ivanov theksoi nevojën e dialogut të filluar mes dy vendeve lidhur me masat për ndërtimin e besimit dhe theksoi interesin e Republikës së Maqedonisë për intensifikimin e bashkëpunimit në këtë drejtim, me qëllim që të krijohet klimë pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve, e cila do të kontribuojë për tejkalimin e dallimit bilateral rreth emrit.
Presidenti Ivanov dhe ministri Kotzias shprehën kënaqësinë nga zhvillimi pozitiv i marrëdhënieve dhe përmirësimi i atmosferës së përgjithshme mes vendeve.
“Kemi komunikim intensiv. Kemi interesa të mëdha të përbashkëta dhe për ne me rëndësi të veçantë është stabiliteti dhe prosperiteti i fqiut tonë”, tha Kotzias në takim, thuhet në njoftim.
Siç informojnë nga Kabineti presidencial, Ivanov ka përshëndetur përpjekjet dhe fokusimin e ministrave, dhe apeloi për përshpejtimin e procesit të implementimit të masave për ndërtimin e besimit dhe vendosjen e përmbajtjeve të reja në bashkëpunimin bilateral.
Si veçmas të rëndësishme veçoi interesin e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe harmonizimin e kornizës juridike, në interes të bashkësisë afariste të të dyja vendeve, nevojën për lidhjen e mëtejshme infrastrukturore mes dy vendeve, përmes revitalizimit të rrjetit hekurudhor dhe hapjen e vendkalimeve të reja kufitare.