Sibel Vezaj
23 prill 2018•Përditësim: 23 prill 2018
PRISHTINË (AA) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga kabineti qeveritar, deputetë të Kuvendit të Kosovës, ambasadorë të akredituar në Kosovë dhe familjarë të të pagjeturve, bëri homazhe te përmendorja e dedikuar personave të zhdukur, përballë Kuvendit të Republikës së Kosovës, në shënim të "Javës së Personave të Pagjetur" e cila ka nisur sot nën patronatin e Kryeministrit të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë nga zyra e Kryeministrit thuhet se me këtë rast, Haradinaj është shprehur se "sot është një ditë që rëndon shumë dhe na sjellë vuajtje dhe në kujtesë dhimbje, por që duhet gjetur forcën për të ecur para".
“Duhet të jemi bashkë që të dalim përballë kësaj teme, që është tema më e dhimbshme që e ka Kosova”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Ai po ashtu ka shprehur përkushtimin e qeverisë së tij që këtë çështje ta trajtojë me prioritet të veçantë, në mënyrë që familjarët e 1.650 personave që ende figurojnë të zhdukur të mësojnë për fatin e më të dashurve të tyre.
Ndryshe, java për personat e pagjetur organizohet nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe organizatat e tjera vendore dhe ndërkombëtare. Kjo javë do të shënohet nga 23 deri më 27 prill, kur shënohet Dita e të Pagjeturve Të Kosovës.