Figen Shaban
20 shtator 2017•Përditësim: 21 shtator 2017
PRISHTINË (AA) - Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë-përfaqësuesja Speciale e BE-së, Nataliya Apostolova dhe shefat e Misioneve të Bashkimit Evropian, u takuan sot me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Kryeministri Haradinaj dhe anëtarët e kabinetit prezantuan dhe nënvizuan prioritetet e agjendës evropiane dhe pritshmëritë e Qeverisë si dhe theksuan rëndësinë e rrugës evropiane për Kosovën”, thuhet në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ministrja për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ministri i Financave, Bedri Hamza, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.
Sipas njoftimit, ambasadorja Apostolova dhe shefat e Misioneve të BE-së e "mirëpritën fokusimin e qeverisë në agjendën evropiane", duke veçuar posaçërisht nevojën e zbatimit të MSA-së, ARE-së dhe marrëveshje të arritura në kuadër të dialogut.