Besar Ademi
02 Mars 2017•Përditësim: 02 Mars 2017
SHKUP (AA) – Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, vizitën e saj në Maqedoni e filloi me takimin me përfaqësues të organizatave joqeveritare, më pas me liderët e partive politike përfaqësuese në Kuvendin e Maqedonisë, si dhe me presidentin e vendit, Gjorgje Ivanov, raporton Anadolu Agency (AA).
Mogherini vjen në Maqedoni pas takimeve që kishte në Podgoricë në kuadër të turneut ballkanik. Përfaqësuesja e lartë e BE-së ishte paraparë që të vizitojë Bosnje dhe Hercegovinën, mirëpo nuk udhëtoi për shkak të mjegullës në aeroportin në Sarajevë.
Siç është paralajmëruar, gjatë ditës së nesërme Mogherini do të shkojë në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb, Tomisllav Nikoliç, kryeministrin Aleksandar Vuçiç dhe liderët e tjerë politikë. Në të njëjtën ditë, do të vizitojë edhe Shqipërinë, ku do të takohet me presidentin shqiptar, Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të tjerë të partive parlamentare.
Të shtunën, Federica Mogherini do të qëndrojnë në Kosovë, ku në Prishtinë do të takohet me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, me kryeministrin Isa Mustafa dhe përfaqësues të tjerë politikë, ndërkaq do të vizitojë edhe Mitrovicën.
Pas vizitës së saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, Federica Mogherini pritet të bëjë raport për gjendjet në rajon, i cili më pas do të shqyrtohet në Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së, ndërkaq do të jetë edhe temë e Samitit të Këshillit të caktuar për më 9 dhe 10 mars.