Andelija Stojkovic
02 Prill 2018•Përditësim: 03 Prill 2018
BEOGRAD (AA) – Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, deklaroi se do të përkrahë serbët e Kosovës që të formojnë vetë Asociacionin e Komunave Serbe (AKS) nëse një gjë e tillë nuk bëhet ashtu siç parasheh Marrëveshja e Brukselit, raporton Anadolu Agency (AA).
"Nëse Prishtina nuk dëshiron të përmbush detyrimet e saj, do tu jap përkrahje serbëve të Kosovës që vetë të themelojnë AKS-në gjatë muajit prill”, tha ajo.
Kryeministrja serbe nuk ka dashur të komentojë zërat për ndryshime të qeverisë, pasi siç tha, situata në Kosovë nuk është e mirë dhe stabile.
Brnabiç ka refuzuar të flasë edhe për masat që Beogradi zyrtar mund t'i ndërmarrë lidhur me situatën në Kosovë, me arsyetimin se ka gjëra të cilat janë konfidenciale.
"Beogradi më fort se kurrë, do të këmbëngul në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe themelimin e AKS-së, por jo ashtu siç e ka paramenduar Prishtina por ashtu siç është dakorduar dhe nënshkruar”, tha kryeministrja e Serbisë.