Selen Temizer
07 Mars 2018•Përditësim: 07 Mars 2018
ANKARA (AA) - Mbrojtja Civile (Beretat e Bardha) në Gutën Lindore e cila gjendet nën bllokadën e regjimit të Bashar al-Asadit i kanë bërë thirrje për ndihmë emergjente Kombeve të Bashkuara (OKB), duke rikujtuar se të paktën 661 civilë janë vrarë gjatë 18 ditëve të fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Mbrojtja Civile thuhet se sulmet kanë vazhduar përkundër vendimit më 24 shkurt për armëpushimin humanitar 30 ditor të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Më tej në deklaratë thuhet se regjimi sirian ka vazhduar operacionet dhe sulmet me armë kimike ku një ditë më parë 30 civilë u prekën nga gazi menjëherë pas hyrjes së autokolonës së OKB-së.
"Autokolona e OKB-së nuk solli furnizime me produkte mjekësore për shpëtimin e jetëve dhe se ditën kur hyri autokolona e OKB-së 42 civilë u vranë nga sulmet", qëndron në deklaratë.
Gjithashtu në deklaratën e Mbrojtjes Civile është bërë vlerësimi se "që nga 19 shkurti janë vrarë më shumë se 661 civilë ndërsa 2.373 civilë të tjerë janë plagosur".
"Përpjekjet e OKB-së më 5 mars ishin vetëm një iniciativë e frikësuar dhe nuk ishte e mjaftueshme për të ndihmuar civilët në Gutën Lindore", thonë nga Mbrojtja Civile.
Mbrojtja Civile i ka ftuar të gjitha palët e krizës dhe OKB-në që në mënyrë urgjente të ndërmarrin hapat e nevojshëm.
Zëdhënësi i Zyrës së Koordinimit për Çështjet Humanitare të OKB-së, Jens Laerke tha se nuk kishin dijeni se sa ndihma humanitare kanë mundur të dërgonin pasi autokolona e ndihmës së OKB-së u largua nga Guta Lindore.
"Dje ishim dëshmitarë të një drame të plotë. Bombardimet nisën menjëherë sapo mbërritën ndihmat dhe u detyruam të tërhiqemi", tha ai.