Fatjon Cuka
06 korrik 2023•Përditësim: 07 korrik 2023
Në Shqipëri është organizuar ceremonia e diplomimit të studentëve të Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), universiteti i Fondacionit Turk Maarif, për vitin akademik 2022-2023, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë ishin të pranishëm zëvendësministrja turke e Arsimit, Celile Eren Ökten, zv.ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Albana Tole, ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, kryetari i Fondacionit Turk Maarif, prof. dr. Birol Akgün, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, koordinatori i Institutit “Yunus Emre” për Shqipërinë, Ömer Osman Demirbaş, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, drejtues të universitetit, pedagogë, studentë dhe prindër.
Zv.ministrja turke e Arsimit, Ökten, gjatë fjalës së saj në ceremoni tha se Fondacioni Turk Maarif ka një ndikim të rëndësishëm për arsimin në Shqipëri dhe arritjet e studentëve dhe, sipas saj, mbi forcimin e peizazhit arsimor nëpërmjet institucioneve të tij arsimore moderne dhe efikase.
"Sot, ndërsa jemi mbledhur për të festuar arritjet tuaja të jashtëzakonshme, më kujtohet partneriteti i thellë dhe i qëndrueshëm që ekziston midis Türkiyes dhe Shqipërisë. Është një partneritet i krijuar gjatë shekujve të historisë së përbashkët. Kjo lidhje e rrënjosur në respekt, mirëkuptim për një vizion të përbashkët për të ardhmen përbën themelin e rritjes dhe prosperitetit të ndërsjellë të kombeve tona", tha Ökten.
Zv.ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Tole, theksoi se drejtimi nga Fondacioni Turk Maarif është një vlerë e shtuar për universitetin, duke qenë se sipas saj gëzon reputacionin e një fondacioni i cili kryen kërkime shkencore zhvilluese dhe metodikat arsimore, si dhe mbështet studentët.
"Ky universitet është institucioni i parë i arsimit jopublik i krijuar në Shqipëri në vitin 2002 dhe ofron arsim universitar në të tre ciklet e studimit, një gamë e gjerë fushash me impakt të drejtpërdrejtë në shoqëri dhe me një impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit", tha Tole.
Kryetari i Fondacionit Turk Maarif, Akgün, tha se si fondacion, që nga viti 2016, po zhvillojnë arsimimin në më shumë se 51 vende, me mbi 440 shkolla, duke shtuar se i vetmi universitet që kanë është Universiteti i New Yorkut në Tiranë.
Duke iu drejtuar studentëve të diplomuar, Akgün tha: "Si të diplomuar në një universitet prestigjioz, ju jeni gjithmonë të pajisur mirë për të përparuar në këtë mjedis global, duke shijuar diversitetin, për të kërkuar përvoja ndërkulturore dhe gjithmonë për të përdorur fuqinë e teknologjisë për t'u lidhur me individë me prejardhje të ndryshme".
Ai tha se Fondacioni Maarif si një familje në rritje me institucione arsimore ndërkombëtare qëndron gjithmonë pranë studenteve, duke mbështetur aspiratat dhe ëndrrat e tyre.
Akgün shtoi se institucionet shqiptare do të mbështesin programin e tyre, veçanërisht për ndërkombëtarizimin.
Rektori i UNYT-së, Prof. Dr. Erkan Erdemir, u shpreh se janë shumë krenarë që arritën një tjetër moment historik në historinë e universitetit.
Erdemir tha se UNYT është i vetmi institucion arsimor në Shqipëri që ofron diploma të dyfishta, amerikane dhe shqiptare.
"Ne ofrojmë programe të ndryshme studimi vetëm në gjuhën angleze për cikle të ndryshme si bachelor, master dhe doktoraturë, në tre fakultetet dhe nëntë departamentet. Kemi 700 studentë nga 17 vende të ndryshme dhe 130 prej tyre sonte po diplomohen”, tha Erdemir.
Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe përfaqësues të tjerë të universitetit. Gjithashtu të pranishmit i përshëndeti edhe nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.