Agim Sulaj
07 korrik 2023•Përditësim: 09 korrik 2023
Prokuroria Speciale me seli në Hagë ka përfunduar fazën e paraqitjes së provave të saj në rastin gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, i akuzuar për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë, transmeton Anadolu.
Siç bëjnë të ditur Dhomat e Specializuara të Kosovës për rastin e Pjeter Shalës seancat e kësaj jave janë mbajtur të hënën dhe të martën. Dy ekspertë të fushës së mjekësisë ligjore dëshmuan pa masë mbrojtëse në një seancë publike. Ata ishin dëshmitarët e nëntë dhe të dhjetë të Prokurorisë në rastin e Shalës.
Dëshmitarët janë marrë në pyetje nga Prokuroria, mbrojtja, përfaqësuesi i viktimës dhe gjyqtarët.
Në bazë të urdhrit gojor të datës 16 qershor, në të cilin trupi gjykues caktoi disa afate paraprake, Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave më 6 korrik, pas dëshmisë së dëshmitarit të fundit. Më pas, në varësi të rezultatit të një kërkese të mundshme të mbrojtjes për rrëzimin e akuzave, data 21 gusht është data paraprake për fillimin e paraqitjes së provave të mundshme të përfaqësuesve të viktimave.
Trupi Gjykues caktoi 18 shtatorin 2023 si datë paraprake për nisjen e paraqitjes së provave nga ana e Mbrojtjes, në qoftë se kanë.
Po ashtu, së fundmi Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë bënë të ditur se më 28 qershor Prokuroria ka dorëzuar listën e 12 dëshmitarëve të cilët në vijim do të dëshmojnë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.
Lista përfshinë edhe dëshmitarë rezervë dhe Prokuroria vuri në dukje se ka reduktuar kohën që vlerëson se do t'i duhet për të marrë në pyetje tetë nga ata dëshmitarë. Emrat e dëshmitarëve janë të shënuar në bashkëngjitjen konfidenciale.
Seancat për rastin e Thaçit dhe të tjerëve do të vazhdojnë javën e ardhshme, duke filluar nga 10 korriku.