arsim

Shkup, mbahet ceremonia e diplomimit në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik

Zaev theksoi se IBU si një institucion i arsimit të lartë është një faktor serioz në sistemin arsimor në Maqedoninë e Veriut

Husamedin Gina  | 11.06.2019 - Përdıtësım : 11.06.2019
Shkup, mbahet ceremonia e diplomimit në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik Foto: Husamedin Gina/AA

Shkup

Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) ka organizuar ceremoninë solemne me rastin e diplomimit të studentëve të vitit akademik 2018-2019, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë ceremonisë u ndanë diplomat për gjithsej 250 studentë, të diplomuar në studimet deridiplomike dhe master në gjithsej shtatë fakultete dhe 15 programe studimore.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili ishte i pranoshëm në ceremoni, në fjalën e tij gjatë ceremonisë theksoi se IBU si një institucion i arsimit të lartë është një faktor serioz në sistemin arsimor në Maqedoninë e Veriut.

"IBU është një urë e bashkëpunimit mes shtetit tonë, shteteve të Ballkanit dhe Republikës së Turqisë. Me vendimin për të investuar në kampus të ri universitar, këtu në kryeqytet, me kushtet më bashkëkohore për arsim, shkencë dhe studime, IBU dëshmoi se investimi në Maqedoninë e Veriut është një hap i mençur, veçanërisht kur investimi u dedikohet në mënyrë më të drejtpërdrejtë gjeneratave të reja, siç janë këto universitete", deklaroi Zaev.

Duke theksuar se IBU është një universitet ndërkombëtar në kuptimin thelbësor të fjalës, Zaev tha se bëhet fjalë për një mjedis akademik në të cilin punohet dhe studiohet vetëm në gjuhën angleze dhe se stafi akademik dhe studentët janë nga kombësitë, fetë dhe kulturat e ndryshme.

Ndërkaq, ambasadorja turke në Shkup, Tülin Erkal Kara, e cila po ashtu ishte e pranishme në ceremoni, theksoi se IBU që është formuar nën përkujdesjen e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, edhe më shumë ka përforcuar lidhjet mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

"IBU i cili është formuar nën përkujdesjen e presidentit të Republikës së Turqisë, me arsimimin e gjeneratave të reja përpos asaj që do të mbajë dritën për ardhmërinë e Maqedonisë së Veriut dhe shteteve të Ballkanit, edhe më shumë ka përforcuar lidhjet mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut", theksoi Kara.

Në fund të fjalimit të saj, ajo u uroi suksese të diplomuarve në jetën e mëtejshme dhe tha se të diplomuarit me dijen që e kanë fituar në universitet do të jenë individë të dobishëm në shoqërinë në të cilën jetojnë.

Kryetari i këshillit drejtues të IBU-së, Ajdovan Ademoski, nga ana e tij, duke falënderuar kryeministrin Zaev për prezencën, tha se lidershipi dhe vizioni i tij Maqedoninë e Veriut e çon përpara në NATO dhe në Bashkimin Evropian (BE).

"Unë në të gjitha rastet them ejani bashkë të hapërojmë para. Qeveria, universitetet dhe komuniteti i biznesit të jenë partnerë, dorë për dore bashkë me Qeverinë të hapërojmë para dhe të çojmë shtetin vetëm përpara", tha Ademoski, duke shtuar se si universitet përpiqen që Maqedonia e Veriut të shndërrohet në oazë të arsimit në të gjitha sferat.

Rektori i IBU-t, Mehmet Dursun Erdem, në fjalimin e tij rikujtoi se IBU fitoi titullin e Universitetit më të mirë në Maqedoninë e Veriut në kategorinë e arsimit në listën e Shangait, e cila në literaturën botërore është një nga kriteret më të rëndësishme të radhitjes së universiteteve.

Në ceremoni e diplomimit të pranoshëm ishin edhe ministri pa resor përgjegjës për investime të huaja i Maqedonisë së Veriut, Elvin Hasan, ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka, ambasadori i Sllovenisë në Shkup, Millan Jazbec, kryetarë të partive politike, përfaqësues të institucioneve turke dhe organizatave joqeveritare, si dhe një numër i madh i mysafirëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın