arsim

Fondacioni Turk Maarif fillon procesin mësimor në Shqipëri

Maarif ka shkolla në 29 vende të botës, ndërsa deri më tani ka hapur përfaqësi në 40 shtete, duke përfshirë dhe vendet e Ballkanit

Fatjon Cuka  | 17.09.2018 - Përdıtësım : 18.09.2018
Fondacioni Turk Maarif fillon procesin mësimor në Shqipëri

Tiranë

TIRANË (AA) - Në institucionet arsimore të sistemit parauniversitar të Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri ka filluar viti i ri shkollor 2018-2019, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas përgatitjeve të shumta të fondacionit dhe drejtuesve të shkollave, nëpërmjet një ceremonie ka filluar zyrtarisht procesi mësimor në gjimnazin "New York High School" dhe në shkollën 9-vjeçare "New York Basic Education".

Koordinatori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Fatih Cankurt, tha gjatë ceremonisë se sot është një ditë shumë e veçantë, sepse për disa fëmijë është dita e parë e shkollës, ndërsa për disa të tjerë është ngjitje e një shkalle më lart në lidhje me arsimin.

“Sot është dhe një ditë tjetër e veçantë për ne, pasi Fondacioni Turk Maarif, i cili është një nga institucionet arsimore që ka shtrirjen më të gjerë në botë, është këtu duke nisur punën në arsim, në vendin mik dhe vëlla, Shqipëri. Ju sot po shkruani faqen e parë të historisë së shkollave të Fondacionit Maarif në Shqipëri. Mbështetësi më i madh i Fondacionit Maarif është shteti turk”, tha Cankurt.

Ai tha se Maarif ka shkolla në 29 vende të botës, ndërsa deri më tani ka hapur përfaqësi në 40 shtete, duke përfshirë dhe vendet e Ballkanit, si një institucion zyrtar i Turqisë dhe i vetmi përfaqësues i shtetit turk në botë.

Drejtoresha e gjimnazit "New York High School”, Lidra Mejdani, tha gjatë ceremonisë se po nisin sot një vit të ri shkollor të mbushur plotë me aspirata dhe pritshmëri të reja.

"Rrugët tashmë i kemi të shtruar, me arritjet dhe sukseset që ka kanë dhuruar fëmijët tanë. Ne besojmë në një filozofi që përcjellë edukimin e fëmijëve me një frymë bashkëpunuese dhe mirëkuptimi, nëpërmjet dijes akademike, por dhe të një besimi reciprok mes stafit pedagogjik dhe komunitetit të nxënësve dhe prindërve. Jemi këtu për t’u dhënë fëmijëve dijen dhe edukimin që ata meritojnë, për të garantuar një arsimim sa më të mirë”, theksoi Mejdani.

Nxënësja e gjimnazit, Erli Gjedia, duke iu uruar mirëseardhjen nxënësve të vitit të parë, tha se "Në mendjen time gjimnazi dukej thjesht si një hap më tej drejt universitetit, por këtu mësova çdo ditë sesi të njoh më mirë vetveten, të vlerësoj dëshirat dhe të punoj më shumë për t'i bërë realitet ato. Prandaj të përpiqemi për të arritur çdo synim, se shkolla jonë e mundëson këtë".

Kujtojmë se Fondacioni Turk Maarif ka blerë Universitetin New York Tirana dhe institucionet arsimore të lidhura me të. Këto institucione arsimore vitin e ri shkollor 2018-2019 e fillojnë nën administrimin e Fondacionit Turk Maarif.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın