Ekip
11 Dhjetor 2016•Përditësim: 11 Dhjetor 2016
ANKARA (AA) - Avionët e ushtrisë turke në kuadër të operacionit "Mburoja e Eufratit" kanë bombarduar 21 godina që i përkisnin organizatës terroriste DEASH, 3 automjete me armatim, një depo armatimi dhe një tunel. Si pasojë e sulmeve të paktën 9 terroristë janë neutralizuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Shtabi i Përgjithshëm, thuhet se vazhdon operacioni "Mburoja e Eufratit" që nisi më 24 gusht dhe ka për synim ruajtjen e sigurisë së kufirit të Turqisë dhe zhdukjen e kërcënimit të grupeve terroriste.
Ndërkohë si rezultat i operacioneve me avionë pa pilot nga ana e ushtrisë turke në El Baba, 3 terroristë janë neutralizuar, ndërsa një automjet i armatosur është shkatërruar.
Në mënyrë që gjatë ofensivës të mos ndikohen civilët e El Bab-it dhe të rrethinave të tij, avionë të ushtrisë turke kanë hedhur nga ajri broshura, ku iu bëhet thirrje qytetarëve të largohen nga vendet ku qëndrojnë militantët e DEASH-it dhe të shkojnë në zona të sigurta.
Nga ana tjetër në rajonet e shpëtuara nga organizata terroriste DEASH, deri më sot të paktën 2.058 bomba artizanale dhe 42 mina janë çaktivizuar apo shpërthyer në mënyrë të kontrolluar.