Ali Murat Alhas
08 Qershor 2020•Përditësim: 08 Qershor 2020
Turqia është një nga zgjedhjet më të mira për pushime falë masave të saj të ashpra ndaj koronavirusit (COVID-19), bëri të ditur sot konsulli ukrainas, raporton Anadolu Agency (AA).
Viacheslav Khomenko, konsulli i Ukrainës në provincën turistike të Antalyas në Turqi tha se fluturimet komerciale midis dy vendeve do të fillojnë nga 1 korriku dhe ukrainasit do të dynden në Turqi.
Khomenko tha se administrata e Ankarasë merret me shpërthimin e koronavirusit me kujdesin maksimal dhe kjo do të ketë efekte pozitive në turizëm, duke e bërë kështu Turqinë "një nga opsionet më të mira të pushimeve".
"1.5 milionë qytetarë ukrainas vizituan Turqinë vitin e kaluar. Kjo shifër mund të bie për shkak të procesit të pandemisë, por nuk presim rënie drastike të numrit të turistëve", tha ai.
Duke shpjeguar pse ukrainasit preferuan Antalyan, ai tha se paketat e pushimeve “all-inclusive” dhe plazhet e pastra kanë qenë disa nga arsyet kryesore.
Ai shtoi se natyra e bukur dhe historia e pasur, së bashku me shërbimin e ofruar me cilësi të lartë në hotele, tërheqin ukrainasit.
Zyrtari ukrainas falënderoi qeverinë turke për ndihmën e shtetasve të tij, duke thënë se Ankaraja siguroi transferimin e rreth 3,000 ukrainasve përsëri në atdhe në mes të shpërthimit të virusit.