Sibel Uğurlu
22 Nëntor 2019•Përditësim: 23 Nëntor 2019
Forcat turke të inteligjencës dhe të sigurisë në jug të vendit kanë konfiskuar listat e rekrutimeve të grupit terrorist DEASH, të cilat mbajnë emra të operativëve dhe kombësive të tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).
Operacioni u nis nga Zyra e Prokurorit Publik në Mersin për të kapur një të dyshuar sirian. I dyshuari u arrestua në rrethin Tarsus dhe disa materiale dixhitale, përfshirë listat e operativëve, po ashtu u konfiskuan gjatë operacionit.
Që nga viti 2016, Turqia ka kryer tre operacione të suksesshme në Sirinë veriore kundër YPG/PKK-së terroriste dhe DEASH-it, respektivisht operacionin Mburoja e Eufratit në vitet 2016 dhe 2017, operacionin Dega e Ullirit në vitin 2018, si dhe operacionin në vazhdim Burimi i Paqes.
Që nga njohja e DEASH-it si grup terrorist në vitin 2013, Turqia është sulmuar shumë herë nga terroristët e DEASH-it, si pasojë e të cilave kanë humbur jetën 315 persona dhe janë lënduar qindra të tjerë.
Në përgjigje të sulmeve, Turqia filloi operacione kundër-terroriste brenda dhe jashtë vendit, duke neutralizuar 3.500 terroristë të DEASH-it dhe duke arrestuar 5.500 prej tyre.