Nazlı Yüzbaşıoğlu,Sultan Çoğalan
26 Dhjetor 2016•Përditësim: 27 Dhjetor 2016
ANKARA (AA) - NAZLI YÜZBAŞIOĞLU / SULTAN ÇOĞALAN
Duke e zgjeruar fushën e veprimit në politikën e jashtme në 14 vitet e fundit me 72 përfaqësi të reja, Turqia është bërë vendi i gjashtë me më shumë përfaqësi të jashtme në botë, me 235 përfaqësi në vitin 2016, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të përpiluara nga gazetari i AA-së, shifra prej 163 përfaqësish të jashtme të Turqisë në vitin 2002 ka arritur në 235 këtë vit me 135 ambasada, 13 përfaqësi të përhershme, 85 kryekonsullata, një agjenci konsullare dhe një zyrë tregtare.
Ndërkohë ka përfunduar procesi ligjor për themelimin e 20 përfaqësive, ndërsa vazhdon procesi ligjor për themelimin e tri ambasadave dhe një kryekonsullate në rajone të ndryshme. Me hapjen e këtyre përfaqësive, numri i përgjithshëm i përfaqësive të jashtme turke do të arrijë në 259.
Sipas Indeksit të Diplomacisë Globale të Institutit për Politikë të Jashtme Lowy, në pesëshen e parë të vendeve me më së shumti përfaqësi të jashtme bëjnë pjesë shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB). Në listë, e para radhitet SHBA me 270 përfaqësi, kurse pas tyre vijnë Franca me 267 përfaqësi, Kina me 258 dhe Rusia me 243. Pas Britanisë, e cila zë vendin e pestë me 236 përfaqësi, radhitet Turqia në vendin e gjashtë në mesin e shteteve me rrjetin më të gjerë diplomatik në botë.
Turqia më së shumti ka hapur përfaqësi në Afrikë
Turqia, e cila bën pjesë në mesin e shteteve që më shpejt kanë zgjeruar spektrin diplomatik, në këtë drejtim në vitin 2015 ka hapur ambasadën në Guetemala, përfaqësinë e përhershme pranë Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Arabinë Saudite, si dhe kryekonsullatat në Prizren të Kosovës, Shibrigan të Afganistanit dhe Vankuver të Kanadasë.
Këtë vit, po ashtu, me detyrë kanë filluar edhe kryekonsullata turke në Lahor të Pakistanit dhe agjencia konsullore në Sulejmanije të Irakut.
Në periudhën e fundit, kontinenti ku janë hapur më së shumti përfaqësi të jashtme është Afrika, ku me detyrë kanë filluar 27 ambasada dhe dy kryekonsullata.
Afrikën e ndjek Azia me një përfaqësi të përhershme, katër ambasada dhe 13 kryekonsullata, dhe Evropa me një përfaqësi të përhershme, katër ambasada dhe gjashtë kryekonsullata.
Turqia në Amerikën e Jugut ka hapur gjashtë ambasada dhe një kryekonsullatë, ndërsa në Amerikën e Veriut një ambasadë dhe një konsullatë.
Mësohet se 20 përfaqësitë e reja që parashihen të fillojnë aktivitetet në periudhën e ardhshme pas përfundimit të procesit ligjor, do të përbëhen nga katër ambasada që do të hapen në Port of Spain në Trinidad dhe Tobago, në Suva të Fixhit, në Vientiane të Laosit dhe në Malabo të Guinesë Ekuadoriale, 15 kryekonsullata që do të hapen në San Francisco, Montreal, Rio de Zhaneiro, Kassel, Göteburg, Novi Pazar, Sebha, Cape Town, Turkmenbashi, Aden, Chennai, Kolkata, Osaka, Heart dhe Kandahar, si dhe një agjenci konsullore që do të hapet në Dohuk.
Në përfaqësitë e jashtme ka personel prej 4.450 personash
Krahas zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe rajonale në kontinente të ndryshme, Ministria e Jashtme po ashtu siguron qasje të shpejtë të shërbimeve për shtetasit turq dhe të huaj me personelin prej 4.450 personash që punojnë në përfaqësitë jashtë vendit. Nga ky personel, 527 persona janë nëpunës profesionalë, 464 janë nëpunës të konsullatave dhe specialist, një këshilltar ligjor, 18 këshilltarë, 95 ndihmës atashe, 431 pjesëtarë të sigurisë dhe 2.914 punonjës me kontratë.