Tutku Şenen
13 Korrik 2016•Përditësim: 14 Korrik 2016
ANKARA (AA) – Turqit Ahiska nga Ukraina janë në rrugë të mirë që të pajisen me shtetësi turke, deklaroi ministri i Brendshëm turk Efkan Ala, raporton Anadolu Agency (AA).
Turqia tanimë ka paralajmëruar se do t'u japë shtetësi refugjatëve sirianë të cilët jetojnë në Turqi, ndërkohë që Ala në një prononcim në Parlament tha se po bëhen përgatitjet për të dhënë këtë privilegj edhe për turqit Ahiska, të njohur edhe si turqit Meskhetian të cilët janë vendosur në provincën Erzincan në Turqi pasi braktisën Ukrainën si pasojë e konflitit të atjeshëm.
“Jemi duke nxituar në mënyrë që të ndihmojmë të shkelurit”, tha Ala para deputetëve në Parlamentin e Turqisë.
Me të kuptuar lajmin turqit Ahiksa që jetojnë në qytetin Uzumlu, kanë vërshuar rrugët për të festuar këtë lajm.
“Jemi shumë të lumtur pasi do të pajisemi me shtetësi të Turqisë”, tha për Anadolu Agency, Fikriye Etemoglu. Qytetari tjetër Ismail Izaha tha: “Ne jemi turq. Kemi ardhur në vendlindje. Ka kohë të gjatë që po presim këtë lajm. Zoti e bekoftë shtetin tonë”, tha ai.
Që nga dhjetori rreth 1.200 turq Ahiska kanë mbërritur në qytetin Uzumlu, atëherë kur qeveria filloi t'u japë atyre apartamente të mobiluara.
Sipas Shoqatës Botërore të turqve Ahiska, rreth 25 mijë sosh jetojnë në Turqi.
Në vitin 1944 lideri sovjetik Josef Stalin i dëboi ata nga vendlindja e tyre, rajoni Meskheti në Gjeorgji.
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik shumë prej tyre emigruan në Ukrainë duke u vendosur në qytetet baraka të përdorura nga punëtorët sezonalë.