Turqia

Turqia, destinacion i preferuar për studentët e huaj

Bolat thotë se institucionet turke deri në vitin 2023 synojnë të presin 350 mijë studentë të huaj. Ai tha se sektori i arsimit është zhvilluar në hapa të mëdha, duke kujtuar se në vitin 2004 kishte vetëm 10 mijë studentë të huaj

Riyaz ul Khaliq, Faruk Zorlu  | 18.10.2019 - Përdıtësım : 21.10.2019
Turqia, destinacion i preferuar për studentët e huaj

Stamboll

Përveç strehimit të miliona migrantëve, Turqia po ashtu është strehë e 172 mijë studentëve të huaj që ndjekin arsimin në 206 universitete të vendit. Me kalimin e viteve, Turqia është shfaqur si destinacion i preferuar për studentët ndërkombëtarë, veçanërisht për studentët nga vendet muslimane.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), rektori i Universitetit "Sabahattin Zaim" në Stamboll (IZU), Mehmet Bulut deklaroi se për të tërhequr studentët ndërkombëtarë Turqia bëri investime të mëdha në arsim, veçanërisht në sektorin e arsimit të lartë.

Në buxhetin e vitit 2019, një shumë e madhe prej 161 miliardë lira turke (30.5 miliardë dollarë) u ndanë për arsimin.

“Deri në vitin 2000, Turqia kishte më pak se 100 universitete, por tani numri i universiteteve është rritur në 206”, tha Bulut.

Kreu i Federatës së Shoqatës Ndërkombëtare të Studentëve (UDEF) me qendër në Stamboll, Mehmet Bolat, thotë se institucionet turke deri në vitin 2023 synojnë të presin 350 mijë studentë të huaj.

Ai thekson se sektori i arsimit në Turqi është zhvilluar në hapa të mëdha, duke kujtuar se në vitin 2004 kishte vetëm 10 mijë studentë të huaj.

UDEF, organ ombrellë e të gjitha grupeve të studentëve ndërkombëtarë aktivë në Turqi, u themelua në vitin 2012.

Rektori i universitetit IZU shprehet se qeveria turke së bashku me fondacionet e tjera, po i mbështesin studentët me lehtësira të ndryshme, përfshirë bursa dhe konvikte.

“Ne kemi gati 2.000 studentë të huaj të regjistruar në universitetin tonë. Ata janë të mirë si akademikë. Ata na kanë ndihmuar në rritjen e cilësisë së arsimit”, tha Bulut.

Ai shton se pritja dhe ofrimi i arsimit për studentët e huaj është krijuar për të përgatitur udhëheqësit e ardhshëm global.

Themeluar në vitin 2010, IZU pret 11 mijë studentë.

"Më shumë se 15 për qind e studentëve në universitetin tonë janë nga 95 vende të ndryshme”, tha Bulut.

Kreu i UDEF-it informoi se tre universitetet shtetërore në Stamboll, Eskişehir dhe Karabuk presin shumicën e studentëve ndërkombëtarë.

Shumica e studentëve të huaj janë nga Siria, Azerbajxhani, Iraku, Kazakistani, Turkmenistani, Afganistani dhe Somalia.

“Një dekadë më parë, studentët e huaj kanë zgjedhur të ndjekin edukimin në arsimin teknik. Por, më vonë shkencat shoqërore kanë rritur ritmin”, shprehet Bolat.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.