Osman Akça
26 Nëntor 2018•Përditësim: 27 Nëntor 2018
MUGLA (AA) – Sporti dy mijë vjeçar i luftës së deveve, mbetet akoma i popullarizuar në Turqi, duke u përcjellë nga gjenerata në gjeneratë.
Një spektakël i tillë u mbajt të dielën në krahinën Mugla të Turqisë, pas një ndërprerjeje 30 vjeçare, duke ua përkujtuar banorëve këtë sport i cili filloi të kalojë në harresë.
Qindra entuziastë të luftës së deveve erdhën në arenën në të cilën luftuan 25 kafshë të veshura me veshjet me zbukurime të qepura me gjilpërë.
“Synojmë të shënojmë këtë ngjarje nga folklori ynë, duke e ruajtur si një trashëgimi tonë kulturore”, tha për Anadolu Agency (AA), organizatori i eventit Gokhan Koçyigit.
Sporti i luftës së deveve, origjinën e ka te fiset nomade dy mijë vjet më parë, të cilët ekzistencën e siguronin nga deveja.
- Rregullat e lojës janë të thjeshta
Deveja fiton nëse detyron kundërshtarin të zmbrapset, të bërtasë, ose të rrëzohet. Nëse pronari brengoset për sigurinë e devesë së tij, atëherë ai mund të hedhë në tokë një litar, me çka sinjalizon mposhtjen.
Kjo traditë e lashtë, mbahet në sezonin e dimrit, për çka kalendari është përplot me evente të tilla.
Devetë janë kafshë të buta që nënshtrohen, por gjatë sezonit të çiftëzimit bëhen agresive, prandaj kjo periudhë është caktuar si më e përshtatshme për garat.
Në kushte të natyrës, devetë luftojnë njëri-tjetrin në mënyrë që të krijojnë një dominimin gjatë përzgjedhjes së partneres për çiftëzim.