Deniz Açık
25 tetor 2015•Përditësim: 26 tetor 2015
ESKISEHIR (AA) – Semin Ozturk (24) është pilotja e parë për fluturime akrobatike, ndërsa dashurinë ndaj këtij profesioni sfidues e ka trashëguar nga i ati, Ali Ismet Oztuk, i cili po ashtu është pilot akrobatik, raporton Anadolu Agency (AA).
Guximtarja Semin paraqitjen e saj të parë publike e ka pasur në aero-mitingun e mbajtur më 19 dhe 20 shtator në Eskisehir, ndërsa në bisedën me gazetarin e AA-së pohon se fluturimin e parë me avion e ka realizuar në moshën 12 vjeçare dhe se që në fëmijëri e ka pëlqyer shumë këtë profesion.
Ajo thekson se dashurinë ndaj fluturimeve akrobatike e ka trashëguar nga i ati, i cili është anëtarë i Klubit Sportiv-Akrobatik Sivrihisar, duke thënë se i ati e ka mësuar për hapat e parë të pilotimit.
"Me padurim kam pritur që të mbush 12 vjeç për të fluturuar pa parashutë në shpinë. Pas fluturimit të parë, dashurinë ndaj avionëve në mënyrë shtesë e kam ndjerë. Objektiv çdo herë i kam pasur fluturimet akrobatike. Jam e lumtur që kam realizuar qëllimin tim. Fluturimi për mua është pasion i madh", tha Ozturk.
Ozturk për çdo ditë me përkushtim stërvitet dhe momentalisht shfrytëzon modelin e avionit Pitts S2-B dedikuar për fluturime akrobatike.
"Në Turqi jam e vetmja dhe dua që edhe më shumë gra të fillojnë të merren me këtë profesion. Kjo për mua është nder i madh, por edhe përgjegjësi. Miqtë befasohen kur u them se jam pilote akrobatike. Paraqitja në aero-mitingun ka qenë realizimi i shumë ëndrrave. Mbështetje të madhe gëzoj nga babai, por edhe nga familjarët e tjerë", tha Ozturk.
I ati i saj Ali Ismet Ozturk theksoi se është krenar me vajzën e tij dhe shtoi se ajo është përfaqësuesja e duhur e gruas dhe rinisë turke.
"Me rëndësi është të thuhet se ajo nuk ka mund të arrijë këtë pa dëshirën dhe punën e madhe. Bashkërisht fluturojmë që nga mosha e saj 12 vjeçare, ndërsa fluturimi i saj i parë ka qenë shumë emocionues për mua", tha Ozturk.