Hatice Kesgin,Emin Avundukluoğlu
22 Nëntor 2016•Përditësim: 22 Nëntor 2016
KONYA (AA) – Kryeprokurori i Konias në Turqi ka lëshuar të martën fletëarrest për 60 pjesëtarë të forcave të armatosura turke, në mesin e të cilëve ka edhe pilotë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Njëzet e pesë të dyshuar u arrestuan nga ekipet e Departamentit të Konias për Krim të Organizuar gjatë një operacioni policor në 19 provinca të ndryshme”, deklaroi një burim policor në kushte anonimiteti.
Të dyshuarit akuzohen për lidhje me organizatën terroriste FETO. Sipas burimit të lartpërmendur, operacioni policor është në vazhdim e sipër.
Organizata terroriste FETO akuzohet për orkestrimin e grusht shtetit të dështuar më 15 korrik në Turqi si dhe për një fushatë të gjatë për përmbysje të shtetit përmes infiltrimit në institucionet turke, më saktë në ushtri, polici dhe gjyqësor.
Në grusht shtetin e dështuar më 15 korrik ranë dëshmorë 247 persona dhe u plagosën rreth 2.200 të tjerë.