Turqia

OECD hap qendrën e 5-të rajonale në Stamboll

Turqia, përmes qendrës së OECD-së në Stamboll, do të kontribuojë më tej në punën e organizatës nëpër rajonet e gjera, theksoi presidenti Erdoğan

Aysu Biçer  | 22.01.2021 - Përdıtësım : 22.01.2021
OECD hap qendrën e 5-të rajonale në Stamboll

Ankara

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) sot hapi qendrën e saj të pestë rajonale në Stamboll, përmes së cilës synon të zhvillojë lidhjet e saj në gjithë Euroazinë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Evropën Juglindore dhe Azinë Juglindore, raporton Anadolu Agency (AA).

Qendra e re e OECD-së në Stamboll do të jetë kyçe për mbështetjen e vendeve në këto rajone dhe për të hedhur bazat për rimëkëmbje të qëndrueshme post-pandemike.

"Ne jemi një hap më afër qëllimit tonë që ta bëjmë Stambollin qendër të organizatave ndërkombëtare", deklaroi presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan në përurimin e qendrës në një ngjarje virtuale.

Ai theksoi se Turqia, përmes qendrës së OECD-së në Stamboll, do të jetë në gjendje të kontribuojë më shumë në punën e organizatës në gjithë rajonet e gjera.

Ministrja turke e Tregtisë, Ruhsar Pekcan, theksoi se lidhjet Turqi-OECD janë përcaktuar të hyjnë në një epokë të re me krijimin e qendrës.

"Është koha që të rindërtojmë një botë më të mirë për epokën post-pandemike. Turqia pret kontribut të rëndësishëm nga qendra e Stambollit e OECD-së në këtë drejtim", shtoi Pekcan.

Sekretari i Përgjithshëm i OECD-së, Angel Gurria, tha se është krenar për hapjen e qendrës së re për bashkëpunim shumëpalësh dhe se është i gëzuar për vënien në dispozicion të potencialit të tij për të avancuar zgjidhje të përbashkëta për sfidat e përbashkëta.

"Qendra jonë e re në Stamboll do të përfitojë nga iniciativat ekzistuese të OECD-së për të ndihmuar në informimin e punës së rajoneve partnere dhe ne shpresojmë që të jetë një spirancë për praktikat më të mira për promovimin e rritjes gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme", theksoi Gurria.

Organizata me seli në Paris (OECD) ka katër qendra rajonale në Berlin, Meksikë, Tokio dhe Washington. Zyra e Stambollit do të jetë qendra e pestë rajonale e organizatës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.