Presidenti turk Erdoğan me agjendë të ngjeshur diplomatike në Samitin e Shangait
Erdoğan zhvilloi kontakte të rëndësishme në margjinat e Samitit të 25-të të Këshillit të Krerëve të Shteteve SCO-së

Shkup
SHKUP (AA) - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në kuadër të Samitit të 25-të të Këshillit të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), i zhvilluar në qytetin Tianjin të Kinës, realizoi takime dypalëshe me shumë liderë shtetesh, raporton Anadolu.
Erdoğan zhvilloi kontakte të rëndësishme në margjinat e Samitit të 25-të të Këshillit të Krerëve të Shteteve SCO-së, ku u takua me presidentin kinez Xi Jinping, presidentin rus Vladimir Putin, kryeministrin pakistanez Shahbaz Sharif, presidentin iranian Masoud Pezeshkian, presidentin azerbajxhanas Ilham Aliyev dhe kryeministrin armen Nikol Pashinyan.
Erdoğan dhe homologu i tij kinez Xi Jinping diskutuan në takimin e tyre Korridorin e Mesëm dhe nismën "Brezi dhe Rruga”. Erdoğan tha se është e rëndësishme të ndërmerren hapa të përbashkët për të harmonizuar Korridorin e Mesëm dhe Nismën “Brezi dhe Rruga”.
Në takim u diskutua gjithashtu situata e fundit në Gaza, lufta Rusi-Ukrainë dhe hapat e përbashkët drejt zhvillimit të Sirisë.
Duke theksuar potencialin e madh në fushat e teknologjive digjitale, energjisë, kujdesit shëndetësor dhe turizmit, presidenti turk tha se rritja e koordinimit midis kompanive kineze për të investuar në Turqi do të ishte e dobishme në këtë drejtim.
Duke përsëritur angazhimin e Ankarasë ndaj politikës së një Kine, Erdoğan nënvizoi gjithashtu dimensionin strategjik të marrëdhënieve dypalëshe.
- Diskutime mbi çështjet rajonale dhe globale në takimin me Putinin
Presidenti Erdoğan, në margjinat e samitit, u takua edhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe mes Turqisë dhe Rusisë, si edhe çështje rajonale e globale.
Erdoğan theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve vazhdojnë të zhvillohen mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe interesave të përbashkëta, duke ruajtur frymën e bashkëpunimit në fusha si tregtia, turizmi, investimet dhe energjia.
Ai nënvizoi përpjekjet e Turqisë për përfundimin e luftës në Ukrainë me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, duke kujtuar se negociatat e Stambollit kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për procesin e paqes. Po ashtu, shprehu dëshirën që bisedimet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë të çojnë në një paqe të qëndrueshme, duke theksuar se stabiliteti afatgjatë në Kaukaz është në interesin e përbashkët të Turqisë dhe Rusisë.
Në takim u shkëmbyen gjithashtu mendime mbi sulmet e Izraelit ndaj Gazës, si dhe për ruajtjen e integritetit territorial e unitetit politik të Sirisë në kuadër të zhvillimit të saj.
- Erdoğan dhe Sharif diskutojnë situatën në Gaza
Në një takim me kryeministrin e Pakistanit, Shahbaz Sharif, Erdoğan tha se Turqia qëndron në të njëjtin pozicion si Pakistani kundër gjenocidit të Izraelit.
“Presidenti Erdoğan theksoi se Izraeli kërkon të zgjerojë politikën e tij të gjenocidit në Gaza, nënvizoi se Turqia qëndron në të njëjtën linjë me Pakistanin kundër këtij gjenocidi dhe deklaroi se të dy vendet do të vazhdojnë të punojnë në koordinim”, tha Drejtoria e Komunikimeve pas takimit.
Dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu lidhjet dypalëshe, si dhe çështjet rajonale dhe globale.
Duke shprehur kënaqësinë e Ankarasë me zhvillimin e marrëdhënieve midis Pakistanit dhe Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), Erdoğan tha se solidariteti i demonstruar në këtë drejtim është për t’u vlerësuar.
Turqia dhe Pakistani po punojnë për të forcuar bashkëpunimin në shumë fusha, veçanërisht në tregti, energji, mbrojtje dhe siguri, shtoi ai.
Erdoğan theksoi gjithashtu se uniteti dhe integriteti territorial i Sirisë janë të pazëvendësueshme për Turqinë dhe tha se Ankaraja qëndron me vendosmëri kundër çdo qëndrimi dhe veprimi që destabilizon Sirinë.
- Mbështetje për Iranin në negociatat bërthamore
Në takimin me presidentin iranian Masoud Pezeshkian u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Iranit si dhe zhvillimet rajonale dhe globale.
Erdoğan tha se bashkëpunimi midis Turqisë dhe Iranit në shumë fusha, veçanërisht në energji, u shërben interesave të përbashkëta.
Erdoğan theksoi se shohin përfitime në negociatat bërthamore të Iranit dhe se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Iranin në këtë çështje.
Gjatë takimit, presidenti Erdoğan dhe presidenti iranian Pezeshkian shkëmbyen mendime edhe mbi situatën e fundit në Siri, sulmet e Izraelit ndaj Rripit të Gazës dhe procesin e paqes në Kaukazin e Jugut.
- Erdoğan i kënaqur nga procesi i paqes Armeni-Azerbajxhan
Me homologun azerbajxhanas Ilham Aliyev, Erdoğan diskutoi marrëdhëniet dypalëshe, së bashku me çështjet rajonale dhe globale.
Erdoğan shprehu kënaqësinë për përparimin në procesin e paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, duket theksuar se Turqia do të vazhdojë të kontribuojë në këtë proces.
Ai theksoi është e rëndësishme që Turqia dhe Azerbajxhani të koordinojnë iniciativave të tyre të zhvillimit rajonal në periudhën e ardhshme.
Ai tha se të dy vendet do të vazhdojnë të ndërmarrin hapa për të zhvilluar bashkëpunimin në shumë fusha, veçanërisht në energji dhe transport.
- Paqja në Kaukazin e Jugut, temë e diskutimeve me Pashinyan
Presidenti i Turqisë diskutoi përpjekjet për paqe në Kaukazin e Jugut me kryeministrin armen, Nikol Pashinyan, në margjinat e samitit të SCO-së.
Drejtoria e Komunikimeve tha se në takim u trajtuan marrëdhëniet Turqi-Armeni në dritën e hapave drejt stabilitetit dhe paqes së përhershme në Kaukazin e Jugut.
Erdoğan shprehu kënaqësinë për përparimin e arritur në procesin e paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, duke thënë se Turqia mbështet paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në rajon, duke vazhduar të kontribuojë në këtë proces.
Ai vuri në dukje se Ankaraja po vlerëson hapat për të rritur bashkëpunimin midis Turqisë dhe Armenisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.