Ayşe Sarıoğlu
31 Maj 2016•Përditësim: 31 Maj 2016
ANKARA (AA) - Ministria e Jashtme e Turqisë duke dënuar "ashpër" sulmet arjore të avionëve luftarakë të ushtrisë së Rusisë ndaj spitaleve, xhamive dhe objektivave të tjera civile në Idlib të Sirisë ka deklaruar se "Federata Ruse e cila shprehet se mbron zgjidhjen politike dhe marrëveshjen për ndalimin e konflikteve në Siri, është e qartë se po shkel haptazi këto parime", raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të publikuar nga MPJ e Turqisë theksohet se krimeve që po kryhen ditët e sotme në Siri nga regjimi i Asadit dhe Rusia në mëngjesin e sotëm i janë shtuar edhe sulmet e ndërmarrë nga avionët rusë ndaj spitalit kombëtar të Idlibit, xhamisë Abrar dhe objektivave të tjera civile.
Në deklaratë vihet në dukje se në sulme sipas të dhënave paraprake dyshohet se kanë humbur jetën më shumë se 60 civilë dhe se janë plagosur më shumë se 200 të tjerë.
"Urojmë mëshirën e Allahut ndaj personave që kanë humbur jetën në këtë sulm që ngjall indinjatë të thellë dhe që e dënojmë ashpër. Ndaj të plagosurve urojmë shërim të shpejtë. Federata Ruse e cila shprehet se mbron zgjidhjen politike dhe marrëveshjen për ndalimin e konflikteve në Siri, është e qartë se po shkel haptazi këto parime. Jemi në pritje që komuniteti ndërkombëtar pa u vonuar të zbatojë ato përgjegjësi që i takojnë kundër këtyre krimeve të regjimit dhe të Rusisë të cilat janë para ndërgjegjes kolektive dhe historike, ku nuk do të mund ti pastrojë asnjë mbrojtje", thuhet në deklaratë.