Turqia

Mbahet Asambleja e 27-të e Përgjithshme dhe Konferenca e ABNA-SE

"Anadolu Agency gjithmonë ka synuar të jetë një urë midis vendeve të Ballkanit, Turqisë dhe botës, si dhe ka kontribut të madh për shpërndarjen e lajmeve pozitive"

Andaç Hongur, Zeynep Rakipoğlu  | 17.11.2018 - Përdıtësım : 18.11.2018
Mbahet Asambleja e 27-të e Përgjithshme dhe Konferenca e ABNA-SE

Stamboll

STAMBOLL (AA) - Ka filluar Asambleja e 27-të e Përgjithshme dhe Konferenca e Agjencive të Lajmeve në Ballkan dhe Evropën Juglindore (ABNA-SE) në Stamboll, organizatore e së cilës është Anadolu Agency (AA). 

Kreu i Bordit drejtues dhe drejtori i përgjithshëm i AA-së, Şenol Kazancı, në fjalimin e hapjes së konferencës, tërhoqi vëmendjen në rëndësinë e ABNA-SE për AA-në, për shkak të rrjetit të komunikimit të cilin e ka krijuar me agjencitë e lajmeve në shtetet e Ballkanit dhe të Evropës Juglindore. 

Ai duke treguar se tema kryesore e konferencës është "Media Digjitale: Çka më pas?", tha se qëllimi kryesor i konferencës është t'i mësojë teknologjitë dhe trendet më të fundit në botën digjitale dhe të diskutojë kontributin e këtyre trendeve në industrinë e medias, sidomos tek agjencitë e lajmeve. 

Kazancı tha se sesioni i parë i konferencës i është kushtuar "paqes dhe stabilitetit". Ai tha se ABNA-SE u themelua me qëllim të zhvillimit të bashkëpunimit ndërmjet agjencive të lajmeve në rajon dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin në paqen, miqësinë dhe çështjet e sigurisë në rajon.

- AA është urë mes Ballkanit, Turqisë dhe botës

Ai rikujtoi se AA publikon lajme në gjuhët e rajonit siç janë shqip, maqedonisht, boshnjakisht, serbisht dhe kroatisht. "Nuk e di vallë ka ndonjë agjenci ndërkombëtare të lajmeve që publikon lajme në 13 gjuhë, por sigurt që jemi të vetëm si agjenci ndërkombëtare të lajmeve që publikon lajme në gjuhët e rajonit siç janë shqip, maqedonisht, boshnjakisht, serbisht dhe kroatisht. Këtë vit në lidhje me Ballkanin dhe Evropën Juglindore kemi publikuar mbi 16 mijë fotografi dhe mbi 5 mijë video", u shpreh Kazancı. 

Kazancı më tej theksoi se një ndër problemet më të rëndësishme të gazetarisë në Ballkan është se gazetaria shihet si mënyrë për t'i shërbyer grupeve të interesit. 

"Anadolu Agency e ka ndryshuar këtë në mënyrë të konsiderueshme. Prioriteti ynë kryesor është të transmetojmë të saktën dhe të vërtetën abonentëve tanë. Me lajmet e saj nga rajoni, Anadolu Agency gjithmonë ka synuar të jetë një urë midis vendeve të Ballkanit, Turqisë dhe botës, si dhe ka kontribut të madh për shpërndarjen e lajmeve pozitive", tha ai.

- Anadolu Agency ndjek rastin e Khashoggit

Në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll muajin e kaluar, Kazancı tha se: "Ne duam të hedhim dritë mbi çdo aspekt të kësaj çështje sa më shpejt të jetë e mundur".

Ai tregoi se do të ndjekin rastin e Khashoggit. "Nuk mund ta mbani të fshehur të vërtetën për një kohë të gjatë", shtoi ai.

Gjatë asamblesë, AA do të marrë presidencën e ABNA-SE nga Agjencia e lajmeve Athinë-Maqedoni të Greqisë (ANA-MPA). 

Në Asamblenë e Përgjithshme marrin pjesë MIA nga Maqedonia, ATA nga Shqipëria, AGERPRES nga Hungaria, ANA-MPA nga Greqia, BTA nga Bullgaria, CNA nga Qiproja Greke, FENA nga Bosnjë Hercegovina, HINA nga Kroacia, SRNA nga Bosnjë dhe Hercegovina, dhe TANJUG nga Serbia.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın