Gözde Bayar
20 Korrik 2021•Përditësim: 21 Korrik 2021
Ministria e Mbrojtjes së Turqisë ka bërë të ditur se forcat turke të sigurisë kanë neutralizuar gjithsej 39 terroristë në veri të Sirisë gjatë pesë ditëve të fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Në pesë ditët e fundit, Forcat heroike të Armatosura Turke, të cilat vazhdojnë me vendosmëri luftën e tyre kundër terrorizmit në vend dhe përtej kufirit, neutralizuan gjithsej 39 terroristë që po përgatiteshin të sulmonin në veri të Sirisë", thonë nga ministria në Twitter, duke shtuar: "Lufta jonë kundër terroristëve do të vazhdojë me këmbëngulje dhe vendosmëri".
Megjithëse përkatësia e terroristëve nuk u specifikua, grupi terrorist YPG/PKK ka qenë aktiv në rajon.
Autoritetet turke përdorin fjalën "neutralizim" për të nënkuptuar se terroristët në fjalë janë dorëzuar, janë vrarë ose janë kapur.
Që nga viti 2016, Turqia nisi disa operacione të suksesshme antiterroriste përgjatë kufirit me Sirinë, ndërsa qëllimi ishte parandalimi i formimit të korridorit terrorist, duke synuar mundësimin e mjedisit të sigurt për kthimin e banorëve. Bëhet fjalë për operacionet “Mburoja e Eufratit” (2016), “Dega e Ullirit” (2018) dhe “Burimi i Paqes” (2019).
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e renditur si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.