Turqia

Çavuşoğlu: Civilët, statusi dhe kufijtë e Idlibit do të mbrohen

“Kufijtë e Idlibit do të mbrohen me anë të një memorandumi i cili u nënshkrua në Soçi. Statusi i Idlibit do të mbetet i pandryshuar”, tha Çavuşoğlu

Diyar Güldoğan  | 18.09.2018 - Përdıtësım : 19.09.2018
Çavuşoğlu: Civilët, statusi dhe kufijtë e Idlibit do të mbrohen ( Fatih Aktaş - Anadolu Agency )

Ankara

ANKARA (AA) – Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, deklaroi të martën se civilët të cilët ndodhen në krahinën siriane të Idlibit, do të mbrohen, ndërkohë që zbuloi detaje nga marrëveshje e arritur dje mes Turqisë dhe Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA). 

Presidentët e Turqisë dhe Rusisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe Vladimir Putin, të hënën në Soçi ranë dakord për krijimin e një zone të çmilitarizuar në Idlib. 

Komentet e tij Çavuşoğlu i bëri në Ankara, pas një takimi mes ministrave të Jashtëm dhe të Tregtisë të Turqisë dhe Jordanisë. “Kufijtë e Idlibit do të mbrohen me anë të një memorandumi i cili u nënshkrua në Soçi. Statusi i Idlibit do të mbetet i pandryshuar”, tha ai. 

Duke vënë në dukje se Rusia do të ndërmarrë hapa për parandalimin e sulmeve të reja dhe hyrje të trupave të presidentit sirian Bashar al-Assad në Idlib, Çavuşoğlu tha se armatimi i rëndë nga zona e çmilitrarizuar do të tërhiqet më së voni më 15 tetor. 

“Idlibi do të pastrohet nga elementet radikale dhe terroriste. Civilët do qëndrojnë aty ku janë. Do të sigurohet një ndërprerje e përleshjeve”, tha Çavuşoğlu, sipas të cilit, kjo zonë do të patrullohet nga forcat turke dhe ato ruse. 

Shefi i diplomacisë turke, informoi se deri në fund të këtij viti do të hapen autostradat kryesore M4 dhe M5 në Siri. 

“Me marrëveshjen e Soçit, do të mbrohet zona e deeskalimit në Idlib dhe do të vendoset ndërprerja e luftimeve. Kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen politike të Sirisë, sepse sikur të binte ai rajon, opozita nuk do të mbijetonte”, përfundoi Çavuşoğlu.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın