Ali Murat Alhas
22 Korrik 2019•Përditësim: 23 Korrik 2019
Anadolu Agency (AA) ka filluar me programin e saj të 15-të për gazetari lufte, me anë të të cilit synon rritjen e aftësive të gazetarëve për të vepruar në zonat e luftës dhe në kushte të jashtëzakonshme.
Programi i trajnimit zhvillohet në koordinim me Akademinë Policore Turke dhe Agjencinë Turke për Koordinim dhe Zhvillim (TIKA).
Koordinator i projekteve të trajnimit të TIKA-s, Mustafa Haşım Polat, tha se trajnimi për gazetari lufte do t’u ndihmojë gazetarëve të shpëtojnë jetë në rajonet e prirura nga lufta.
“Një lajm ose një fotografi e bërë nga një gazetarë ndonjëherë mund të shkaktojë një luftë ose t’i japë fund (një lufte)”, tha Polat.

Drejtor i Akademisë së Lajmeve të AA-së, Cihangir İşbilir, tha se 21 gazetarë nga 11 vende do të marrin pjesë në programin e sivjetshëm të trajnimit. Ai shtoi se deri më tani gjithsej 350 gazetarë kanë marrë pjesë në këtë program trajnues.
“Luftërat dhe konfliktet transformohen. Prandaj, është e nevojshme që këto trajnime të tranformohen në varësi të përleshjeve në zhvillim, fatkeqësive natyrore, kryengritjeve dhe luftërave”, u shpreh İşbilir.
Ai më tej tha se programi 12-ditor do të përfshijë trajnime praktike, si dhe ekspertë për luftën kundër terrorizmit, duke shtuar se Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë së Turqisë, Forcat e Armatosura Turke dhe Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive (AFAD) do të ofrojnë ndihmë të plotë për programin.
Programi i trajnimit, i cili për herë të parë përfshin edhe gjuhën arabe, do të mbahet deri më 2 gusht. Në fund të programit, pjesëmarrësit do të kenë aftësi të përmirësuara në gazetari, siguri personale, ligjin e luftës, ndihmën e parë, leximin e hartave, mbijetesën, menaxhimin e medias në kushte të jashtëzakonshme, vetë-mbrojtje, teknologji, si dhe aftësi të tjera të rëndësishme.
Ata që arrijnë me sukses të përfundojnë programin, që përbëhet nga gjithsej 108 orë trajnime, do t’u ndahen certifikata të njohura ndërkombëtarisht.