Mutlu Demirtaştan
17 Dhjetor 2017•Përditësim: 18 Dhjetor 2017
STAMBOLL (AA) – Trajneri francez i klubit nga Premier liga angleze Arsenal, Arsene Wenger tha se futbollisti i kombëtares gjermane me prejardhje turke Mesut Özil duhet të luftojë më shumë për shënimin e golave, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për mediat britanike duke e vlerësuar si “të mrekullueshëm” golin e shënuar me vole nga Mesut Özil në ndeshjen ku Arsenali shënoi fitore me rezultatin 1-0 ndaj Newcastle United, Wenger tha se dëshiron që të shohë më shumë goditje të tilla nga futbollistët me përvojë.
Ai tha se Özil po i përmbush detyrat e tij në fushë.
“Pozita ku luan në masë të madhe kërkon që ai ta kontrollojë topin dhe ta çojë në mënyrë të suksesshme te bashkëlojtarët e tij. Ju e dini se ai disi do e dërgojë topin në mënyrë të suksesshme te bashkëlojtarët, por është shumë me rëndësi që ai të luajë duke marrë më shumë rreziqe. Jam i gëzuar që me goditjen që bëri ka shënuar një gol shumë të rëndësishëm”, tha Wenger.
Sipas tij, skuadra duhet të tregojë performancë më efektive sa i përket shënimit të golave.
“Epërsia me rezultatin 1-0 gjithmonë është i rrezikshëm. Sidomos në Premier Ligë ku kundërshtarët padyshim se do të hyjnë në pozicione të cilat ju lënë në pozitë të vështirë”, theksoi Wenger.
Arsenali në katër ndeshjet e fundit të Premier Ligës ka arritur të shënojë 3 gola, ndërsa në 18 xhiro ka fituar 33 pikë dhe gjendet 19 pikë pas liderit, Manchester City.